I përfshirë nga flakët masive një ditë më parë, sot në tregun industrial të plazhit mbizotëron heshtja.
Qetësia prishet vetëm nga një ekskavator, që po punon për të larguar nga aty të gjitha mbetjet e krijuara nga zjarri që shkatërroi shumëçka nga dyqanet e tregtarëve, që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin në tregun industrial në sektorin “Hekurudha”.
Zjarrfikësit luftuan për rreth 2 orë me flakët, derisa arritën të vinin situatën nën kontroll, por dëmet materiale shkaktuar tregtarëve janë të mëdha. Për shkak të zjarrit masiv, që rrezikonte edhe godinat aty pranë, në vendngjarje shkuan jo vetëm mjetet zjarrfikëse të Durrësit dhe portit, por edhe ato nga Shijaku, Kavaja e Kamza.
Shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve, dhe më pas flakët janë përhapur me shpejtësi edhe si pasojë e erës që përfshiu gjirin e Durrësit, pasditen e së dielës.
Siç njofton policia e Durrësit, “materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast”.
Një ditë më parë, ndërsa po ndiqte nga afër operacionin për shuarjen e flakëve, prefekti Emiljan Jani theksoi se tregu nuk plotëson kushtet teknike dhe ka infrastrukturë të përkohshme, me lidhje elektrike jo të standardizuara.
M.B.