Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, ku ndodhen mbi 20 dyqane që operojnë gjatë sezonit veror. Ngjarja është raportuar rreth orës 16:30, ndërsa zjarri ka shkaktuar dëme materiale, sipas burimeve paraprake.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë makinat zjarrfikëse të qytetit, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në dyqanet e tjera. Gjithashtu është ndaluar përkohësisht qarkullimi rrugor në afërsi të tregut.
Tregu, i ndërtuar kryesisht me struktura të përkohshme dhe llamarina, ka bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi, duke rritur rrezikun për dëme të mëdha. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Në terren ndodhen pesë mjete zjarrfikëse dhe tre autobotë uji, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve dhe izolimin e zjarrit. Për shkak të përmasave të ngjarjes dhe rrezikut të përhapjes së zjarrit, në ndihmë janë angazhuar edhe forcat zjarrfikëse nga Kavaja, Shijaku dhe Porti i Durrësit.
Ndërkohë, forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe po largojnë qytetarët nga perimetri i rrezikut, për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të lehtësuar punën e shërbimeve të emergjencës.