Piktorja Shpresa Milaqi Bajko hapi pasditen e kësaj të hëne, në galerinë e artit “Nikolet Vasia”, ekspozitën e saj të nëntë.
“Copëza jete” e kishte titulluar artistja durrsake këtë ekspozitë në të cilën sjell 77 punime të realizuara në akuarel, vaj dhe laps.
Pjesa më e madhe e punimeve janë në gjininë e peisazhit, naturës së qetë, portrete dhe autoportrete, por nuk mungojnë edhe kompozimet, ku bie në sy se sensualiteti i femrës shfaqet në formën më të bukur.
Rrugicat e Durrësit, shtëpitë e lagjet e vjetra të tij, shfaqen në shumë nga pikturat e artistes, që për qytetin e lindjes ka një debulesë të veçantë dhe siç shprehet dhe vetë “nuk do ta ndërronte me asgjë në këtë botë”.
Një pikturë që në qendër ka një guackë në breg të detit nga e cila dalin “Bukuroshja e Durrësit”, mbretëresha Teuta, Banka apo Torra Veneciale ndërthur në vetvete disa nga objektet dhe monumentet që kanë shënjuar historinë antike dhe atë të mëvonshme të qytetit bregdetar. “Një copëz Durrës, i futur në një tablo” do ta përkufizonte më së miri këtë pikturë.
Dhe janë pikërisht këto copëza qyteti, këto copëza jete që e kanë frymëzuar piktoren në këtë vit të vështirë, ku ka humbur disa prej njerëzve të saj të dashur.
Kjo ekspozitë ishte dhe një sfidë sesi nga dhimbja bëhet art dhe sesi arti dhe piktura janë “ilaçi” më i mirë për të mposhtur trishtimin.
“Hapa një ekspozitë në kushte shumë të vështira. Nuk mendova kurrë se do të arrija ta realizoja”,– thotë artistja në një intervistë për “DurrësLajm”.
Në një vit të vështirë, të dominuar nga pandemia dhe humbjet njerëzore, piktorja Shpresa Milaqi Bajko ka realizuar jo pak, por 77 punime të reja.
Ekspozita “Copëza jete” do të jetë e hapur në galerinë “Nikolet Vasia” për rreth 2 javë.