Gjykata e Durrësit u “blindua” nga forcat e policisë të dielën dhe shkak për këtë u bë seanca gjyqësore, ku Xhevdet Plaku, alas “Akili”,i arrestuar të enjten nga operacioni “Enigma”, pritet të dalë për vleftësimin e masës së sigurisë së bashku me 6 të njohurit e tij, me të cilët po darkonte 3 ditë më parë në një restorant në Gjirin e Lalzit.
Mes të arrestuarve në “darkën e fundit” të të ashtuquajturit “Akili” ishin edhe Flobens Meçja, Voltan Xhani, Jugert Xhani, Oltion Hasani, Fatjon Qesja dhe Alfred Hasanaj.
E parashikuar për të nisur në orën 11.00, seanca ende nuk ka nisur dhe shkak për këtë është bërë fakti se dy nga të arrestuarit janë dërguar në Tiranë për t’u marrë në pyetje nga një prokuror lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta për një tjetër vepër penale.
Bëhet fjalë për të arrestuarit Flobenc Meçja dhe Voltan Xhani. Pritet mbërritja e tyre nën masa të rrepta sigurie nga kryeqyteti, që të nisë seanca gjyqësore në Gjykatën e shkallës së parë Durrës.
Kush janë të arrestuarit e operacionit “Enigma”:
Xhevdet Plaku, një person me rrezikshmëri shumë të lartë, është emër shumë i njohur për Policinë e Shtetit. Ai i ka shpëtuar disa atentateve ndërsa në janar u arratis nga burgu i Ancona-s. Kur u kap në Gjirin e Lalzit, policia tha se ai kishte një armë me fishek në fole, gati për qitje.
Mes shokëve të tij të arrestuar, dy po ashtu janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Flobens Meçja alias Gega, alias Drini ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sigurim kushtesh për vrasje dhe organizatë kriminale. Në momentin e arrestimit ai kishte dy dokumente të tjera të falsifikuara.
Ndërsa 39-vjeçari Voltan Xhani, ishte në kërkim Gjykata e Shkodrës për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër.
Në aksionin “Enigma” me armë u kap edhe Jugert Xhani.
Ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve u kapën për veprat penale moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të krimit.