Nga Gëzim Kabashi

Nëse do të ishte, edhe sot në mëngjes do të uleshim për kafe në bar “Paris”, pranë shtëpisë së tij.

Gjergj Vlashi do të mbërrinte, si gjithmonë në ora 8,30 me korrektesën e tij proverbiale.

Do të flisnim për vapën, për finalen e Evropianit, për veprimtaritë muzikore në qytet, ndërsa ne do ta uronim për ditëlindjen e tij të 93-të.

Kalimtarë e miq që e kishin marrë vesh do të bënin të njejtën gjë, madje ndonjë admiruese e tij do të sillte edhe një tufë me lule.

Ndërsa Xhoxhi, i cili vihej gjithnjë në siklet nga lëvdatat, do të thoshte me humor:

“Cudi, sot është e martë, datë 13. Thonë se janë bashkuar ditë dhe datë terse, por unë ndihem për mrekulli”….

Kështu do të kishim dëshirë të ndodhte, por gjërat që i ke çdo ditë para syve i vlerëson vetëm kur i humbet.

Kohët e fundit e kam gjetur vehten shpesh duke treguar historitë e Xhoxhit, duke iu rikthyer përkthimeve të tij, apo proverbave të krijuara me aq finesë.

Dhe vetëm tani e kam kuptuar se Gjergj Vlashi ishte mentori ynë, i imi me siguri, por ai vetë nuk bënte asnjë përpjekje për tu shfaqur si i tillë.

Tani e kuptoj se kemi mësuar në çdo moment prej tij: korrektesën, shfrytëzimin e çdo minuti, kënaqësinë që të jep leximi, shënimet në skedat fshehur në xhepin e këmishës, përzgjedhjen e një filmi a programi TV.

Kemi mësuar se puna intelektuale nuk njeh moshë, se regjisorin Gjergj Vlashi nuk e ndali mosha e pensionit për të rifilluar punën me shkrimet dhe përkthimet.

Kemi mësuar të heshtim kur nuk na dëgjon njeri apo kur nuk kemi gjë për të thënë, megjithëse asnjëherë ky nuk ishte rasti i Xhoxhit.

Ndodhte tamam e kundërta: Gjergj Vlashi ishte një enciklopedi shëtitëse.

Veçse në ndryshim nga Konica, Gjergji ynë dukej sikur nuk debatonte kurrë.

Kishte një mënyrë të tijën për të të bindur me argumente, të cilat nuk i bërtiste, përkundrazi.

Gjergj Vlashi ishte një model i klasit të parë për të gjitha moshat, pasi njeri mendjehapur siç ishte në shpirt, dukej më i ri se të gjithë.

Kjo është arsyeja që nuk duam të kujtojmë mesditën e 4 tetorit 2020, të djelën kur pa asnjë zhurmë ai ndërroi jetë në një nga sallat e Urgjencës së Spitalit të Durrësit, ku sapo kishte mbërritur.

Dha shpirt në duart e shoqes së një jete, Shpresës, dhe në duart e Tristanit, i cili nuk e besonte dot atë që ndodhi.

E më kujtohet Xhoxh Vlashi, para se të festonte 80 vjetorin e lindjes, kur i kërkova me shumë kujdes të më rrëfente jetën e tij.

Më pa gjatë, fytyra i morri një shprehje gazmore dhe më tha:

“Kam qenë mirë me shëndet, Gëzim. Kot po ngutesh!

Kam qeshur me lot atë ditë, ashtu siç qesh edhe tani, sa herë tregoj batutat e tij.

Edhe pse nuk munda të kem asnjëherë një rrëfim të gjatë, nga ajo ditë e korrikut 13 vjet më parë ka mbetur kjo video miqësore, që punuam bashkë me Tristan Sherifin për mikun tonë të përbashkët Gjergj Vlashi.