NGA BUJAR QESJA
Quhet Daut Hoxha. Në këtë të enjte, të datës 23 janar 2025, është në 90-të vjetorin e lindjes. Kur e ka lindur e ëma, i bie ta ketë kaluar me dy vite këtë shifër. Por në letra fiksohet kjo datë, që është 90-të vjetori i lindjes. Me intuitën e zanatit, gërrmova të mësoj kuptimin e fjalës Daut. Për të qenë i sinqertë, e kisha vendosur titullin dhe më pas mora lopatën e kërkimit, për të nxjerrë produktin. Befasi dhe ndërkohë, 100 përqind të cilësive që i ka Daut Hoxha me atë që lexova.
Kuptimi i fjalës Daut është: serioz, bujar, krijues, kompetent, aktiv, i lumtur, vëmendshëm, miqësor, temperament, me fat.
Po t’i detajojmë Daut Hoxha ynë i ka të gjitha, si askushi në kësi rastesh. Sebep për të fiksuar datën e lindjes, u bë një shkëmbim miqësor urimesh për vitin e ri 2025.
-Meqenëse më dole në telefon profesor, sa vjeç shkuat?
-Bujari im! Me 23 janar, jam rrumbullak 90-të vjeç. I kam kaluar dy vite mbi këtë shifër, por 90-ta mbetet e shkruar në qitap.
I vëmëndshëm ndaj kësaj bisede, nuk mund t’a lija pa hedhur rradhë mbi këtë emër, për ta mbuluar këtë njeri me nderet që i takojnë, m’u bash në këtë ditë të lumturisë. Natyrisht profesor Dauti, nuk mund të jetë tani si në rininë e tij. Një bastun i mban drejtqendrimin, për të na thënë se Daut Hoxha nuk ndalet këtu. Duke ia çmuar fizikun, duke i prekur mëndjen, padashur të bëj magjistarin, më e pakta që mund t’i jap profesorit tim është të prekë 100 vitet, pra shekullin. Dhe kjo sigurisht, do të na gëzoj të gjithëve.
Nuk do të zbërthej anën letrare të tij, pasi këtë në mënyrë shembullore e ka bërë para këtij çasti, shkrimtari i ri Pol Milo. Shumë i ri i bëri duart me graso. Aso kohe, në vitet e pas çlirimit të tokës tonë, nga ato që na e kishin zënë, ishin të pranishëm ofiçina mekanike me emra në italisht. Në njërën prej tyre, vendosi të punoj djaloshi Daut Hoxha.
Shpejt iu grric kurrizi nga hallet, nga vështirësitë ekonomike, por ky djalosh do të shte serioz, krijues, aktiv, i vëmëndshëm, me temperament, me fat, miqësor, bujar, kompetent, pse jo dhe i lumtur, m’u si të gjithë treguesit e shkruar nga Zoti.
Daut Hoxhën e kam njohur që herët. Isha në shkollën shtatëvjeçare “Dalip Tabaku”. Flas në fillimet e viteve 60-të. Jepte lëndën punë me metal. Sepse me hekurin ishte marrë që në vogëli, aq sa lidhi zanatin me të. Dhe koha tregoi, se ai u bë i fortë si hekuri, i temperoi cilësitë në kudhrën që stë fal të jetës dhe erdhi ashtu si çelik deri në këtë 23 janar të vitit 2025.
Por para se të bënte mësuesin, Dauti është qytetar i vlefshëm i Durrësit. Ai e don qytetin e lindjes si vetë jetën. Këtë tokë e ka futur në gji, e puth si nëna fëmijën dhe është i lumtur që e ka nderuar deri tash. Provoni të ecni rrugëve të Durrësit shoqëruar me Daut Hoxhën dhe do të shikoni, se çfarë respekti i jep njerëzia. Por edhe ky Daut i Hoxhëve, ua kthen në përulësi dhe me zemrën të mbushur me miqësi.
Në krah të Mynevere Kullollit, bashkshortes së respektuar dhe i mbështetur në bastunin magjik, ai veçse nderon e nderon pa u ndaluar durrsakët e tij. Dikujt i thërret në emër, dikujt tjetër në emrin e të jatit, por ec e ndalo, bën humor, transmeton kujtime të çastit dhe i bën ndarjet, duke i mbuluar me buzëqeshje.
Daut Hoxha është pasuri e qytetit tonë. Ndërthuren në perfeksion qytetari i nderuar, mësuesi i merituar dhe shkrimtari, që nuk bën kompromis as me vetveten. Nuk e dija që shkruante. Mbase jo vetëm unë. Por siç po del, akomulimi letrar ka filluar që kur ishte 18 vjeç, e mbase edhe më parë. E ka parë jetën bardh e zi dhe nuk është fshehur, as edhe nuk është shtirur. Prandaj edhe thash diku, që ska bërë kompromis as me veten. Ai me zemrën dhe shpirtin e tij është në rregull. Nuk u ngut. Duroi dhe priti kohën. Dhe ajo erdhi. Por edhe ai u çfaq, ashtu si donte dhe ashtu siç meritonte.
Ka shkruar 8 libra. Krijimtaria e tij është përmbledhdur edhe në katër vepra. Unë nuk e di se çka ndërmënd të bëj ky 90-të vjeçar “ i çmëndur” dhe sa kohë do të na çmendë edhe ne, se çfarë mund të bëjë për më tutje, por edhe këtu sikur të mbetet është e mjaftueshme. Të gjitha i ka thënë. Nga rrëfimet, poezitë, tregimet, novelat, romanet, esset, kritika, reçenca, vlerësime, gjykime të sojeve të ndryshme, mo po ska lënë gjë mangut.
Parë kështu, lexuar kështu, vështruar kështu, 90-të vjetori i lindjes së Daut Hoxhës na gëzon, na kënaq shpirtin. Ai që don me zemër të tjerët, ia ka dhënë privilegjin vetes, se edhe ato e duan dhe e nderojnë më shumë se kaq.
Daut Hoxha pjesë e qytetarisë së kulturuar dhe me tradita durrsake. Daut Hoxha, pjesë e rëndësishme e arsimit. Madje këtu qendron, pesha më e madhe e tij. Daut Hoxha nuk është i shtirur, nuk është artificial. Nuk ka nevojë ti bëj këto. Çdo hap i hedhur në këto 90-të vite, është i komanduar nga zemra, nga shpirti i pastër dhe i çmuar m’u si floriri.
Falenderoj kujtesën time, sepse duke shkruar këto rradhë më çfaqet një ngjarje që bëri bujo në Durrës. Është nga ato ngjarje, që veçse kujtohet. Për vitin nuk jam i sigurtë, pasi nuk doja ta pyesja profesorin tim, sepse këtë shkrim e kam surprizë për të, por mund të ketë mbi 40 vite. Ky Dauti ynë, ky qytetari shpirtëror i Durrësit, ky mësuesi ynë i shkëlqyer, ky shkrimari i pandalur, u aksidentua rëndë. Rrezikoi jetën dhe për pak desh e pësoi. Ai iu hodh një traktori, m’u tek rrotat dhe e shikon veten të gjakosur dhe me trauma. Humbi ndjenjat dhe urgjenca e dërgoi drejt spitalit. Por jetgjati nuk bëhet jetshkurtër. Dhe Daut Hoxha, ishte dhe mbeti si kokrra e mollës.
Cili ishte shkaku i përplasjes me zetor? Teksa dilte me nxënësit nga shkolla, një zetor humbet kontrollin dhe rrezikonte jetën e fëmijve. Dauti nuk bëri sehirxhiun, por hidhet me guxim mbi këtë traktor për ta ndalur. Dhe e ndali me trupin dhe gjakun e tij. Kjo e bën Daut Hoxhën, qytetarin nga më të respektuarin tonët. Prandaj edhe krijimtaria letrare e Daut Hoxhës, është e mbështjellë me zemrën dhe shpirtin e tij human, fisnik dhe shumë, shumë njerëzor.
Daut Hoxha! Mjeshtri i mekanikës. Qytetari model, apo ekselencë i Durrësit. Mësuesi i thjeshtë, i zoti, por shumë i dashur me njerëzit. Shkrimtari që nuk mendoi të ishte Kadareja, por vetëm Daut Hoxha.
Gëzuar 90-të vjetorin e lindjes Daut Hoxha! Falë besimit në Zot, do të kisha dëshirë të shkruaja edhe për 100-të vjetorin. Dhe atëhere ky festim, do të ketë të tjera ngjyra.