Shtesat e pikave të rendit të ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës, të dërguara këshilltarëve vetëm 24 orë nga mbajtja e mbledhjes jashtë radhe kanë nxitur reagimin e anëtarëve të KB-së. Kjo nuk është hera e parë, që administrata e bashkisë vepron në këtë mënyrë dhe për këtë arsye, këshilltarët e opozitës Ardian Muka, Jonuz Myshketa, por edhe këshilltarja Flutura Kasa kërkuan që t’i jepet fund një procedure të tillë.

Në mbledhjen jashtë radhe të mbajtur mesditën e kësaj të mërkure u miratuan me shumicë votash të 3 pikat e rendit të ditës, por projekt-vendimi që nxiti më shumë diskutimet ishte ai që lidhej me përjashtimin e disa familjeve nga përfitimi i apartamentit në dy pallate të rindërtuara nga e para (PËR PALLATIN NR.1032, RRUGA “ALEKS KOMNENI” DHE PALLATIN “KASTRATI”, RRUGA “RAMADAN VELIU”,).

Sipas bashkisë, duke iu referuar aktit normativ nr.9 të qeverisë Rama (nxjerrë pas tërmetit të 5 viteve më parë), këto familje nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit , pasi kanë apartamente të dyta, ose nuk banojnë në Durrës.

Ndërkohë, këshilltarët e djathtë e quajtën tërësisht të padrejtë përjashtimin nga e drejta e pronësisë të këtyre familjeve, që deri para tërmetit të 26 nëntorit 2019, gëzonin pronësinë e këtyre banesave.

Nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi: Pas verifikimeve të bëra nga institucioni i bashkisë, në bashkëpunim me ASHK-në dhe Gjendjen Civile dy arsyet kryesore janë: Dy pronësia në disa raste dhe vendbanimi i zakkonshëm jo në qytetin e Durrësit.

Këshilltarja e PS, Joniada Musaraj: Kur vjen një përgjigje nga ASHK, bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak nuk mund të mbyllin sytë përpara këtyre kritereve përjashtuese dhe t’i përfshijë këto familje.

Këshilltari i PD, Ardian Muka: Në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorialo – komunist gjithçka ndodh.

Këshilltari Jonuz Myshketa: Eshtë realisht një VKM, por është e padrejtë. Le t’i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zerohen.

Kjo pikë u miratua me 28 vota pro të këshilltarëve të majtë.

M.B.