Z. Dirk Johan Pouwels, merr titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Titulli i nderit i’u dorëzua ditën e enjte, Presidentit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara Hanze, Z. Dirk Pouwels në një ceremoni të posaçme të organizuar në sallën e Konferencave në godinën e Kampusit Universitar, me motivacionin:
“Për ndikimin e tij në ndërkombëtarizmin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” nëpërmjet krijimit të Aleancës Universitare Evropiane, për promovimin e vlerave evropiane, për ngritjen e Universitetit në standarde konkurruese me njohje ndërkombëtare në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, për kontributin në mënyrë të konsiderueshme në zgjerimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, për ndikimin në tranzicionin rajonal, duke mundësuar bashkëpunime transnacionale në të gjithë Evropën e më gjerë duke frymëzuar transformimin e arsimit të lartë”.
Ky titull u dorëzua nga Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr Kseanela Sotirofski, e cila ndërsa vlerësoi rolin e z. Pouwels për ndikimin e tij të çmuar në përzgjedhjen e universitetit tonë për të qenë anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Universiteteve Evropiane STARS EU, njëkohësisht çmoi dhe e cilësoi si një prestigj që Universiteti “Aleksandër Moisiu” i jep titullin “Doctor Honoris Causa” një figure të rëndësishme si z. Pouwels për kontributin e tij të çmuar në ndërkombëtarizimin e UAMD-së.
Gjatë fjalës së saj, Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, u shpreh se: “Universiteti i Shkencave të Aplikuara Hanze, në Mbretërinë e Holandës, ka dhënë mbështetje në përafrimin më të shpejtë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” me universitetet evropiane në kuadrin e rrjetit evropian të Universiteteve. Kjo Aleancë e Universiteteve Evropiane, më mbështetjen e Bashkimit Evropian, po arrin të krijojë sinergji fantastike mes universitetesh të ndryshme në hapësirën evropiane”.
Zoti Pouwels, në fjalën e tij përshëndetëse i shprehu falënderimet Universitetit “Aleksandër Moisiu” për këtë nderim dhe vlerësoi rëndësinë që ka Aleanca e STARS EU, që sipas Komisionit Evropian, është një nga shtyllat kryesore të Zonës Evropiane të Arsimit, me qëllim gjetjen e mënyrave të reja të bashkëpunimit afatgjatë strukturor dhe të qëndrueshëm, ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë nga e gjithë Evropa, mbi arsimin, kërkimin dhe inovacionin.
Këtë ceremoni e nderoi me pjesëmarrjen e tij, Shkëlqesia e tij, z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Hollandës i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “Kjo ditë sot është një arsye e rëndësishme për të festuar arritjen e z. Pouwels si koordinator i Stars EU dhe si ndërtues urash midis Shqipërisë dhe Hollandës. Sa e mrekullueshme është që mes universiteteve tona, këto lidhje janë vendosur me sukses dhe që Universiteti “Aleksandër Moisiu” po kontribuon në formimin e studentëve si aktorë evropianë novatorë, transnacionalë dhe shumë të vlerësuar.”
Ceremoninë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Prefekti i Qarkut Durrës, Emiljan Jani dhe Zv/Kryetar i Bashkisë Durrës Gentian Kallmi.