Në ditën botërore të librit, shkolla artistike “Jan Kukuzeli” organizoi një aktivitet letrar, në fokus të të cilit ishin dy krijues të vegjël.

Diellza dhe Arb Shehdula, motër e vëlla, kanë botuar librat e tyre të parë, megjithëse janë ende në ciklin e ulët.

Për vlerat e librave të dy krijuesve të vegjël foli mësuesja e tyre kujdestare Mirela Shtraza.

“Arbi ka një botëkuptim shumë të pasur dhe e bërtet mendimin e tij, e ndan me të tjerët, kurse Diellza ka një veçoritë e veta, ka një shkrim fin, të hollë dhe është më diskrete”.

Ideja për të hedhur në letër fantazitë e tyre fëminore u ka lindur dy vogëlushëve në mënyrë shumë spontane, të nxitur nga ngjarjet e përjetuara apo pasionet e tyre.

Në një nga librat e tij, “Tërmeti dhe pema”, Arbi ka shkruar për ndjesitë që i shkaktoi lëkundja sizmike, dëmet e pësuara në shtëpinë e tij dhe atë të shokëve të klasës, ndërsa Diellza dashurinë që ka për violinën e ka pasqyruar në librin e saj. Të 4 botimet e vogëlushëve Shehdula kanë ilustrime të shumta shumëngjyrëshe, ku shfaqet fantazia e tyre përmes formave dhe bojërave.

Përkushtimi i shumë orëve të ditës drejt teknologjisë i ka shkëputur shumë të mitur dhe adoleshentë nga librat. Me aktivitete të ngjashme, shkolla “Jan Kukuzeli” kërkon t’u përcjellë më të vegjëlve dashurinë për librin.

“Dita e sotme na shërbeu për të sensibilizuar fëmijët dhe të rinjtë me leximin dhe librin”,– tha ndër të tjera nëndrejtoresha e shkollës Eda Deveja.