Për të dytin vit radhazi, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës ka organizuar një aktivitet masiv, në kuadër të Ditës Botërore të Vallëzimit.
Shëtitorja “Taulantia” jehoi mbrëmë nga tingujt e muzikës dhe alegria fëminore e grupeve të kërcimit jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga disa qytete të tjera, si Tirana, Lushnja, Kavaja etj.
Përgjegjësi i sektorit të artit pranë QKF-së, Arian Plaku tha për “DurrësLajm” se këtë vit ka më shumë grupe pjesëmarrëse dhe aktiviteti synon të kthehet në një traditë të përvitshme në qytetin bregdetar.
Dita Botërore e Vallëzimit festohet më 29 prill dhe është krijuar si ditë për të promovuar vallëzimin si një formë arti universal, për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së tij kulturore dhe arsimore.
Dita Botërore e Vallëzimit u krijua nga Komiteti i Vallëzimit i Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (ITI), partneri kryesor për artet interpretuese të UNESCO-s. Që prej 1982, ITI zgjedh çdo vit një personalitet të shquar të vallëzimit për të shkruar një mesazh. Për të përcjellë mesazhin e këtij viti u përzgjodh koreografja Crystal Pite nga Kanadaja.





