I riu Esi Papajorgji 30 vjeç nga Durrësi, ka sfiduar temperaturat e ftohta të këtij fillim janari duke u hedhur në detin Adriatik dhe ka kapur kryqin e hedhur në ujë.

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur këtë 6 janar dhjetëra besimtarë ortodoksë, të cilët kanë përjetuar çastet emocionuese të hedhjes së kryqit në ujë.

Të shumtë kanë qenë besimtarët ortodoksë që kanë falur meshën e mëngjesit në kishën Shën Pavli e Shën Asti në Durrës, e më pas kanë mbushur ujin e bekuar i cili do të qëndrojë për një vit në shtëpitë e tyre.

Pas kësaj, besimtarët u nisën me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Kryqi u kap nga Esi Papajorgji, i cili u hodh i vetëm në ujë për të kapur kryqin dhe çuar përpara një traditë të rëndësishme për besimtarët ortodoksë.