Grupet e turistëve të huaj që kanë vizituar Durrësin muajt e fundit nuk kanë mundur të shijojnë një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Torrën Veneciane.

Monumenti i Kulturës i është nënshtruar restaurimit që nga muaji shkurt dhe punimet pritet të zgjasin 6 muaj.

Restaurimi i Torrës Veneciane po bëhet me fondet e programit EU4Culture dhe kap shifrën rreth 690 mijë euro.

Pikërisht, EU4Culture ka zbardhur sot në rrjete sociale disa detaje sesi do të funksionojë Torra pas përfundimit të rijetësimit, duke u kthyer në një qendër multimediale.

EU4Culture ka publikuar disa prej materialeve që po përgatiten dhe do të shfaqen në të ardhmen në këtë monument.

“Një vështrim i shpejtë në punimet mbi përmbajtjen multimediale që po zhvillohet dhe prodhohet aktualisht për Kullën Veneciane! Shumë shpejt të gjithë vizitorët do të jenë në gjendje të shijojnë historitë e mahnitshme, gojëdhënat dhe tregimet magjepsëse që Kulla ofron nëpërmjet kupolave të projektimit, instalimeve interaktive, përvojës së realitetit virtual, audio udhëzuesve, leximit në sit, shikimit përmes periskopëve dhe shumë mjeteve të tjera inovative!”,- shkuan EU4Culture.

Disa prej materialeve që po përgatiten nga EU4Culture kanë të bëjnë me godina historike të qytetit bregdetare si Vila e mbretit Zog, kalaja e Skndërbeut në Kepin e Rodonit, amfiteatri etj.

Pas rijetësimit,  Torra do të ofrojë për të gjithë turistët e huaj një qendër interpretimi digjital të trashëgimisë kulturore.