Në këto ditë festash, kur shumëkush përpiqet të kalojë sa më bukur me njerëzit e zemrës, një vogëlushe nga Durrësi po vuan nga një sëmundje shumë e rëndë dhe prej disa ditësh ndodhej e shtruar në pediatrinë e kryeqytetit.

Historia e trishtë e 5-vjeçares Ansuelda Meta, e cila frekuenton kopshtin e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto” në Spitallë, ka prekur zemrat e shokëve e shoqeve të shkollës, mësuesit dhe prindërit, të cilët brenda një kohe rekord, vetëm 24 orë, mblodhën një shumë parash për të mbështetur këtë vogëlushe të braktisur nga prindërit, e cila jeton vetëm me gjyshen e saj.

Ansuelda është prekur nga fibroza kistike e pankreasit dhe gjyshes së saj prej ditësh nuk i ndahen lotët nga sytë. E dërrmuar nga dhimbja e madhe, Ferizate Merja, rrëfen se do t’i qëndrojë përherë pranë të voglës së saj.

Drejtori i shkollës “Neim Babameto”, Xhevdet Hoxholli, rrëfen për “DurrësLajm” se apeli për t’i ardhur në ndihmë 5-vjeçares së sëmurë krijoi një ndjenjë solidariteti të menjëhershme dhe brenda një kohe të shkurtër u mblodh shuma 850 mijë lekë të vjetër dhe 65 euro, e cila iu dorëzua sot gjyshes së Ansueldës.

Ndërsa presidentja e qeverisë së nxënësve, Joana Marku, u shpreh se të gjithë do t’i qëndrojnë pranë vogëlushes.

Gjyshe Ferizatja i falenderoi të gjithë për ndihmën financiare, sidomos në këto ditë të vështira që po kalon mbesa e saj, kurimi i së cilës është i kushtueshëm.

Shkolla “Neim Babameto” po mendon ta shtrijë apelin për t’iu bashkuar kësaj nisme në të gjitha shkollat e qytetit, pasi solidariteti njerëzor merr një vlerë të veçantë për të sjellë momente të bukura dhe shpresëdhënëse në jetët e atyre që kanë më shumë nevojë.

M.B.