Një aparat oksigjeni për gruan e sëmurë rëndë nga mushkëritë, që duhet të marrë oksigjen në shtëpi, pas daljes nga spitali. Ky është apeli që kryefamiljari Vladimir Selami, nga fshati Kullë i Durrësit bën për bashkëqytetarët e tij. 39-vjeçarja qëndron prej 10 ditësh e shtruar në spitalin rajonal në Durrës, por sigurimi i një aparati oksigjeni është jetik për të.

“Më nevojitet një aparat oksigjeni dhe i lutem çdokujt me sa mundësi të kenë të më sigurojnë një aparat. Asgjë më tepër! Do të bëj të pamundurën që ta ndihmoj, me sa mundësi të kem, nëpërmjet shqiptarëve”,- thotë Selami.

Kryefamiljari Selami, baba i 4 fëmijëve, ku më i madhi është 16-vjeç, punon me ditë. Familja me 6 anëtarë ka të ardhur vetëm kempin e bashkëshortes, në vlerën 110 mijë lekë të vjetra.

“Ku të më dalë një ditë pune do punoj, se janë 4 fëmijë. Jam i detyruar të punoj, por tani s’po punoj sadopak sepse po rri pranë gruas”,- thotë ai.

Për problemin e tij, Selami i ka shkruar edhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa falenderon punën e mjekëve të spitalit të Durrësit, për kujdesin maksimal të treguar. Sinkron.

Në komunikimin që “DurrësLajm” pati me drejtoreshën e spitalit Nadire Jani, ajo konfirmoi se 39-vjeçarja vuan nga spok i riakutizuar, insuficiencë respiratore si dhe apne gjumi. Dalja e nënës së 4 fëmijëve nga spitali mund të ndodhë këtë javë, prandaj nevoja për aparatin e oksigjenit është urgjente.