Orët e vona të natës vijojnë të jenë momenti më i preferuar nga hajdutët për të vepruar.

Një tjetër rast vjedhjeje është denoncuar në redaksinë tonë nga një banor i lagjes nr. 18 në Durrës.

Siç duket edhe në pamjet e kamerës së sigurisë, një person i veshur me bluzë të zezë, pantallona të shkurtra dhe kapele sportive ndalon pranë një automjeti të parkuar. Pasi konstaton se makina është e hapur, ai futet brenda dhe nis të kontrollojë me imtësi çdo pjesë të saj.

Për rreth pesë minuta, hajduti “inspekton” automjetin, ndërsa më pas largohet nga dera e pasme duke mbajtur në dorë një qese të bardhë.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 9 korrikut dhe, sipas denoncimit, autori ende nuk është identifikuar. Ai ka marrë me vete një kg me tartufë që ndodhej në automjet, si edhe një palë syze.

Pas një rasti të ngjashëm të publikuar më herët gjatë ditës, qytetari që denoncoi ngjarjen në redaksinë tonë shprehet i shqetësuar për nivelin e sigurisë në zona të ndryshme të qytetit.

Sipas tij, policia duhet të identifikojë sa më parë personat që kryejnë këto vjedhje, pasi, bazuar edhe në eksperiencën e viteve të kaluara, raste të tilla shtohen ndjeshëm gjatë sezonit veror.