Kopshti “Met Hasa” ka hapur sot për herë të parë dyert, pas një ndërprerjeje 2-vjeçare për shkak të tërmetit. I ndërtuar nga e para, kopshti ofron kushte mjaft moderne dhe bashkëkohore për 125 vogëlushët e ciklit parashkollor.

Kopshti është pajisur me mensë dhe kuzhinë, duke plotësuar kështu kërkesat e komunitetit, për kthimin e tij në kopësht me drekë. Për vogëlushët e apasionuar pas librave, ka edhe një bibliotekë.

Drejtoresha e kopshtit Adriana Gurra thotë për “DurrësLajm” se investimi i realizuar plotëson të gjitha kushtet për një institucion arsimor për mirërritjen e fëmijëve.

“Ndërtesa është moderne, plotëson të gjitha kushtet për mirërritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve. Kemi shtuar kapacitetin pritës të fëmijëve, nga 4 klasa kemi kaluar në 6 klasa. Kopështi është kthyer me ushqim, duke plotësuar kërkesën e komunitetit dhe ka një të veçantë sepse jemi një kopësht me mensë dhe ushqimi nuk hahet më nëpër grupe. Në grupe kryehet vetëm procesi i mësimit, procesi i fjetjes është në katin e tretë.”,– tha Gurra.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, 31 godina arsimore u dëmtuan rëndë nga tërmeti, ndërkohë që deri më tani 14 prej tyre kanë përfunduar së rindërtuari dhe rikonstruktuari me fondet e qeverisë shqiptare dhe donatorëve.  

M.B.