Shpeshherë, muajt e fundit, “DurrësLajm” ka pasqyruar problematikën me tërheqjen e mbeturinave urbane në qendër të qytetit si dhe në zonat periferike.

Por këtë herë po e shohim këtë problematikë në një tjetër këndvështrim. Kazanët janë bosh, ndërkohë që plehrat dergjen në trotuar.

Fotot e mëposhtme janë shkrepur pak minuta më parë, në afërsi të Forumit Bizantin, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të qytetit.

Papërgjegjshmëria e disa qytetarëve, që i hedhin mbeturinat jashtë kazanëve, bëhet shkak për ndotjen mjedisore të hapësirës përreth, pasi nga era shpesh plehrat përfundojnë brenda në forum, apo tek rrethimet e pemëve dekorative. Frutat e perimet janë shpërndarë në trotuar dhe dekompozimi i tyre do të ndodhë aty, duke shpërndarë erën e rëndë, pikërisht në këtë zonë aq shumë të vizituar nga turistët e huaj dhe jo vetëm.

Ankesat e qytetarëve gjatë muajve të verës kanë qenë të shumta në drejtim të Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal, por përveç problematikave të NSHK-së, të cilës i mungojnë kapacitetet e nevojshme për të përballuar volumin e plehrave që krijohen gjatë sezonit turistik, shpesh fajtore për ndotjen e mjedisit është edhe papërgjegjshmëria qytetare.