Shkelje të tilla të Kodit Rrugor janë të pranishme në çdo rrugë apo rrugicë të Durrësit, në çdo ditë të vitit.
Zallamahia që shkaktojnë automjetet e parkuara vend e pa pavend është një shqetësim i përditshëm i qytetarëve durrsakë.
Në qytetin nr.2 të Shqipërisë dhe qytetin që sipas INSTAT-it ka numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, as Policia Rrugore dhe as Policia Bashkiake nuk kanë një karrotrec për largimin e automjeteve që parkohen gabim, madje dhe kur ato zënë hapësirat publike. Ata kanë vetëm bllokun për vendosjen e masave administrative!
Madje Policia Bashkiake nuk ka asnjë procedurë ligjore sesi duhet të veprojë në këto raste dhe as një pikë grumbullimi, ku të dërgohen automjetet që largohen me karrotrec.
Burime policore konfirmojnë për “DurrësLajm”, se dhe kompanitë private që disponojnë karrotrec, nuk marrin përsipër të largojnë mjetet e kërkuara nga efektivët e policisë.
Zallamahia që ndesh çdo ditë në rrugë është reflektim i zallamahisë institucionale, që akoma këto ditë nuk ka përcaktuar qartë, se në cilat raste duhet të ndërhyjnë efektivët e Policisë Bashkiake dhe në cilat raste ata të Policisë Rrugore.
Shqetësimi për mungesën e një karrotreci u ngrit edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, por sa do të reflektohet kjo në vendimmarrje konkrete nga bashkia, mbetet për t’u parë.
“Një makinë u parkua para garazhit të një pallati me 20-30 familje. E la dikush makinën aty për rreth 6 orë. Askush nuk mund të hynte apo të dilte me makinë nga pallati. Erdhi Policia e Shtetit dhe i vendosi një gjobë prej 3.000 lekë dhe kaq. Mora Policinë Bashkiake dhe më thanë: Nuk kemi karrotrec. I thashë ta paguaj unë karrotrecin, por m’u përgjigjën se nuk kanë as procedurë ligjore për ta bërë këtë. Për 6 orë, çfarëdo lloj halli apo nevoje që kishim, nuk bënim dot asgjë”,– deklaroi këshilltari bashkiak Florian Ttahiri.
Ngushtimin e rrugëve kryesore të qytetit dhe eleminimin e qindra vendeve parkimi në to, autoritetet vendore kërkojnë ta zbusin disi me parkimin publik që po ndërtohet pranë Stacionit të Trenit.

Po pavarësisht premtimeve elektorale për përfundimin e kësaj vepre infrastrukturore në muajin prill dhe kalimit të afateve të deklaruara në kontratë (Shkurt 2025), punimet në parkimin publik me 396 vende parkimi dhe 7 nivele vazhdojnë akoma.

Në kryeqytetin shqiptar të turizmit, ku përgjatë 3 muajve të verës pritet të rritet ndjeshëm numri i automjeteve që qarkullojnë në akset e Durrësit, mungon vendimmarrja e duhur institucionale për t’i dhënë zgjidhje një prej problematikave kryesore të qytetarëve: Ku ta parkojmë automjetin?!
M.B.