Në ditën botërore të muzeve, Posta Shqiptare dhe Muzeu “Turistët e përgjuar” sollën për pak orë në Durrës një ekspozitë të përbashkët dedikuar historisë së turizmit gjatë periudhës komuniste.

Në stenda ishin ekspozuar pulla të periudhave të ndryshme kohore, nga monarkia e mbretit Zog, vitet e Rindërtimit të vendit, por edhe pulla të periudhës pas viteve ‘90.  Gjithashtu aty gjeje edhe vula të vjetra dhe materiale të tjera, që dokumentojnë historinë e Shqipërisë përgjatë shekullit të kaluar.

Zv/drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, Ardit Demiri nënvizoi rëndësinë që këto materiale filaterie kanë jo vetëm për historinë e vendit, por edhe si dokumente arkivore.

Në muze nuk munguan edhe turistët e huaj, të apasionuar për të njohur më shumë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste përgjatë viteve 1945-1990.

Erdhëm të vizitojmë këtë muze, sepse bashkëshorti iim është mjaft i dhënë pas historikut të vendeve komuniste. Djali ynë erdhi në Sarandë para dy vitesh dhe na tha se i kishte pëlqyer shumë. Tani në Angli, të gjitha gazetat dhe revistat flasin për Shqipërinë, shkruajnë se duhet të vizitoni Durrësin për historinë, kulturën etj. Jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur para se shumë turistë të tjerë nga Anglia të vijnë tek ju.”

Jam i apasionuar për periudhën komuniste. Duke lexuar dokumentet tek ky muze, mësova se gjatë atyre viteve nuk lejoheshin të vinin në Shqipëri turistë ngë Afrika e Jugut, por edhe vende të tjera. E pabesueshme.” – na tregoi një çift nga Anglia.

I pozicionuar shumë pranë disa prej siteve më të rëndësishme arkeologjike dhe historike të qytetit, muzeu “Turistët e përgjuar” ka ngjallur interesin jo vetëm të të huajve, por edhe vizitorëve vendas e nxënësve të shkollave. Për bashkëthemelueset e muzeut, Arjana Isaku dhe Brunilda Liçaj mbajtja hapur e tij nuk është aspak e lehtë dhe vera e këtij viti do të përcaktojë jetëgjatësinë e mëtejshme të tij.

M.B.