Shpallet firma fituese, që do të ndërtojë qendrën për trajtimin e kafshëve të rrugës në bashkinë Durrës.
RMS Company është subjekti privat që do të realizojë investimin në fjalë, të parashikuar për t’u ndërtuar në Njësinë Administrative Katund i Ri.
Kompania nga Kosova është shpallur fituese me ofertën 12 280 002 lekë, ndërsa fondi limit që ofronte bashkia Durrës për realizimin e qendrës për trajtimin e qenve dhe maceve të rrugës ishte 16 665 992 lekë.
Në tender morën pjesë gjithsej 8 kompani, nga të cilat 2 u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve.
Pas firmosjes së kontratës, RMS Company duhet ta ndërtojë qendrën për kafshët e rrugës brenda një periudhe 6 mujore.
Në qytetin bregdetar mbetet shqetësim i vazhdueshëm ndër vite prania e kafshëve endacake në rrugë dhe lagje të ndryshme, por edhe në zona mjaft të frekuentuara nga vendasit dhe turistët.
Jo më larg se pak ditë më parë, një turist gjerman u kafshua nga një qen rruge në lagjen nr.1 dhe mori ndihmën e parë mjekësore pranë Spitalit Rajonal Durrës. Ndërkohë raportimet për qytetarë dhe turistë të kafshuar nga qentë endacakë janë të vazhdueshme.

Duke iu referuar projektit të hartuar, Qendra për trajtimin e kafshëve të rrugës do të ketë një sipërfaqe prej 1664 m2, ku struktura e mbyllur do të jetë rreth 105 metër2 dhe do të jetë e pajisur me sallën e operimit, laboratorin e analizave, kafazet e mbyllura etj.
Bashkia Durrës bën të ditur se kjo qendër do të ketë funksion të dyfishtë; 1) Trajtimin e kafshëve sipas nevojave për ndërhyrjet që ata kanë, si sëmundje apo dëmtime ndaj incidenteve dhe 2) Strehimin e kafsheve, për një periudhe të caktuar, ku duhet të sigurohet mirëqenia e tyre përgjatë gjithë kohës së qëndrimit.

Godina e mbyllur do të jetë konstruksion tra – kolonë, me mbulesë me çati me tjegulla, ndërsa kafazet janë realizuar pjesërisht me mure, pjesërisht me rrjetë dhe me mbulesë me llamarinë.
Ndërkohë, hapësirat e tjera të qendrës do të jenë të hapura dhe do të jenë të siguruara me rrjetë teli dhe me mur.
Brenda kësaj parcele janë parashikuar hapësira të lira për parkim, sistemim me gjelbërim, hapësira të shtruara me zhavorr.
M.B.