Rrënojat antike të zbuluara në themelet e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, gjatë gërmimeve të shpëtimit, i dhuruan qytetit 3000-vjeçar një sit arkeologjik me vlera të padiskutueshme për trashëgiminë kulturore.
Një vit pas këtyre zbulimeve, kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, njoftoi se do të rindërtohet mbi sitin arkeologjik gjimnazi i njohur, projekt ky që do të realizohet nga arkitekti spanjoll Toni Girones.

Mes ruajtjes së paprekur të rrënojave të vilës antike luksoze të zbuluar nga profesor Luan Përzhita dhe rindërtimit të shkollës në po të njëjtin vend, autoritetet kanë zgjedhur këtë të fundit.
Por a është kjo zgjidhja më e mirë për Durrësin, që një nga asetet më të rëndësishme për një turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor ka pikërisht trashëgiminë kulturore mijëra vjeçare?
Brikena Shkodra, arkeologe: “Bashkëjetesa e një institucioni arsimor me një sit arkeologjik është ekstremisht e ndjeshme dhe ka nevojë për një balancim të kujdesshëm dhe perfekt, të ekzistencës së të dyjave. Është rasti më i fundit i shkollës “Eftali Koçi”, ku , në dijeninë ime, mbetjet arkeologjike të cilat u pompuan se do të ishin të dukshme dhe të vizitueshme për turistët në fakt janë të padukshme”.
Eduard Shehi, arkeolog: “Të ndërtosh një shkollë mbi një strukturë arkeologjike do të rezultojë në planin afatgjatë një gabim i madh. Imagjinoni 800 adoleshentë në një zonë arkeologjike se çfarë do të bëjnë ditë për ditë ndaj monumentit. Në mënyrë figurative, “do ta çmontojnë tullë më tullë”!


Bashkëjetesa mes antikes dhe modernes, në dy raste të ngjashme në qendër të qytetit është zgjidhur në 2 forma të ndryshme. Koha ka treguar se spostimi në një tjetër vend i shkollës 8-vjeçare “10 Korriku” i fali qytetit një nga monumentet më unike të antikitetit, Forumin Bizantin, i vizitueshëm edhe në ditët tona. Tjetri (Termat romake) qëndron i kyçur dhe mund të shihet vetëm përmes kangjellave të hekurta.


Brikena Shkodra, arkeologe: “Në rastin e Forumit Rrethor, atje ishte një shkollë. U prish shkolla me qëllimin që të ndërtohej një shkollë e re. dhe të dhënat arkeologjike bënë atë që ne kemi sot. Në fakt trashëgojmë një nga monumentet më të rëndësishme dhe unike në botën mesdhetare për qytetin në antikitetin e vonë, që është Forumi Rrethor. Nga ana tjetër kemi rastin e Termave Romake, që bashkëjetojnë me me një monument të zhvillimit modern të qytetit., që është Pallati I Kulturës. Kjo bashkëjetesë nuk duket se është efikase.dhe është e dukshme aq shumë.”
Përgjatë 35 viteve demokraci, kur Durrësi “u mbyt” me ndërtime shumëkatëshe, të shumta kanë qenë zbulimet arkeologjike të dala në pah. Por sot, mozaikët apo rrënojat antike dhe historike ndodhen nën pallatet shumëkatëshe apo veprat infrastrukturore, thuajse të pa aksesueshme nga turistët vendas dhe të huaj. Sipas arkeologëve Shkodra dhe Shehi, këto vite demokraci i detyrohen qytetit, sepse nuk i kanë dhënë asnjë monument të ri që do t’i shtohej listës së trashëgimisë kulturore dhe do të ishte një aset më shumë për Durrësin.
Brikena Shkodra, arkeologe: “Ne nuk kemi asnjë rast të vetëm të shtuar këtij qyteti, një monument të ri në këto 30 vite. Të gjitha zbulimet arkeologjike të qytetit në 30 vitet që lamë pas janë të padukshme. Në asnjë rast ato nuk janë përkthyer në vlera të trashëgimisë kulturore, në asete për turizmin arkeologjik në qytet.“
Eduard Shehi: “Durrësi ka humbur shumë raste për të ruajtur monumente të vizitueshme. Zgjidhjet që janë dhënë në shumë raste kanë rezultuar të papërshtatshme. Sot jemi në një situatë ku numri i monumenteve të vizitueshme është vetëm 3. Edhe ato të pjesshme e pa ndonjë element mbresëlënës e frymëmbajtës.”
Por cila është zgjidhja që sipas arkeologëve do ta ruante më së miri sitin arkeologjik?
Brikena Shkodra, arkeologe: “Muzeu arkeologjik mbi një sit arkeoogjik është zgjidhja më e balancuar dhe më e dukshme që do t’i shtohej qytetit”.

Zbulimet arkeologjike të dala në dritë në sitin arkeologjik në lagjen nr.1 në Durrës shkojnë deri në shekullin e 3 p.e.s, që i përket periudhës ilire.

Vila buzë detit dhe shumë afër monumentit më të rëndësishëm të qytetit, amfiteatrit, tregon shumë për zhvillimin ekonomik të qytetit antik.

Siti arkeologjik rezultoi një minierë zbulimesh arkeologjike për Durrësin, duke lënë të surprizuar edhe vetë arkeologët që punuan në të.
M.B.