Diplomati i karrierës Mal Berisha ishte pasditen e së hënës në Durrës për të promovuar librin e tij “Ambasador i pushtetit të butë”.

Pas një eksperience të gjatë në shërbimin diplomatik, Berisha vjen me këtë vëllim të ri, i bazuar në kujtimet nga puna e tij si përfaqësues i shtetit shqiptar në disa nga vendet më të rëndësishme evropiane.

“Është një libër në të cilin janë vënë një pjesë e madhe e përvojave të mia, të përjetura gjatë shërbimit diplomatik nga vitit 1992 deri në vitin 2015, ku kam shërbyer në vende të ndryshme, siç është Stambolli, New York, Londër, si dhe botime të ndryshme duke kërkuar njohjen e Kosovës”, tha Berisha.

Në intervistën e tij për “DurrësLajm”, diplomati Berisha rrëfeu edhe arsyet pse gjatë shërbimit të tij si diplomat zgjodhi të ishte përfaqësues i “pushtetit të butë” duke prezantuar në vendet ku shërbeu një Shqipëri të bukur dhe me një histori që ia vlen të hulumtohet dhe njihet.

Aktiviteti kulturor mblodhi në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” miq e dashamirës të Berishës si dhe emra të njohur të artit dhe letërsisë në Durrës. I moderuar me profesionalizëm nga Teuta Dhima, në nisje të promovimit u shfaq një material i shkurtër filmik që ndalej në disa nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së Mal Berishës.  

M.B.