Edicioni i dytë i Festivalit të Napolit do të mbahet mbrëmjen e së martës në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Pas suksesit të një viti më parë, ky festival i rëndësishëm, që po kthehet në traditë në qytetin bregdetar, do të mbledhë në skenë artistë italianë dhe shqiptarë, nën interpretimin e të cilëve do të vijnë këngët e famshme napoletane.

Një nga organizatorët e këtij eventi kulturor për qytetin, Giuseppe Palumbo, gjatë konferencës për shtyp, theksoi se festivale të tilla shërbejnë për të krijuar ura komunikimi mes artistëve nga dy vendet fqinjë, por njëkohësisht dhe për evidentimin e talenteve në fushën e kantos.

Festivali po bëhet në bashkëpunim me shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, gjë që i jep mundësi nxënësve më të mirë të kantos të ngjiten në skenë dhe të interpretojnë para publikut dhe jurisë profesioniste. Profesori i kantos, Ardian Kamberi tha se ky edicion ka një rëndësi të dyfishtë, pasi gjallëron jetën artistike të qytetit, sidomos përsa i përket muzikës klasike, ndërsa nga ana tjetër u krijon studentëve të kantos një mundësi të artë për t’u bërë pjesë e një festivali ndërkombëtar.