Largimet masive të popullsisë dhe numri i lartë i vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 po ndikojnë drejtpërdrejt në plakjen e popullsisë në Durrës. Statistikat e gjendjes civile janë fakte kokëforta që dëshmojnë se raporti lindje – vdekje anon nga këto të fundit.

Në 3 nga ish-komunat e bashkisë Durrës, vetëm Katundi i Ri ka më shumë lindje sesa vdekje, ndërsa në Manzë dhe Rrashbull vihet re një raport i frikshëm mes personave që humbin jetën dhe bebeve që vijnë në jetë.  

E njëjta gjë konstatohet edhe në njësitë administrative të qytetit, me përjashtim të njësisë nr.4, e cila regjistron një numër rekord lindjesh, pasi në të është i përfshirë materniteti.

Në njësinë administrative nr.6, në zonën e ish-Kënetës, punonjësja e kësaj zyre pranon se numri i lindjeve brenda dhe jashtë vendit është pak a shumë në të njëjtat shifra, kjo për shkak të emigrimit në masë të popullsisë në moshë të re.

Kjo zonë informale, e njohur si Durrësi i ri, numëron aktualisht rreth 35 mijë banorë dhe megjithëse është e mbushur me banesa të reja, shumë nga të rinjtë nuk jetojnë më aty, por në vendet e Bashkimit Evropian.

Emigrimi masiv i moshës aktive për punë po boshatis këto zona, ndërsa prapa ata kanë lënë vetëm prindërit e moshuar dhe banesat e boshatisura.

Disa ikin për vite të tëra, të tjerë shfrytëzojnë periudhën 3 mujore për të punuar në të zezë në vendet e BE-së.

Banorët e zonave informale u zhvendosën masivisht në Durrës në vitet 1995- 2010. Erdhën për një jetë më të mirë, erdhën me shpresa për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve të tyre, por sot ndihen të zhgënjyer, të lodhur.

Problemet sociale që i shoqëronin në vendlindjen e tyre i kanë ndjekur pas edhe në Durrës, ndërsa integrimi mbetet problematik edhe për shkak të nivelit të ulët kulturor.

Emigracioni jo gjithnjë është i lehtë dhe shpesh shoqërohet me rikthimin në atdhe, por në këto raste zhgënjimi është edhe më i madh.

Në këtë dekadë të tretë të shekullit XXI Shqipëria vazhdon të kryesojë listën e azilantëve, pavarësisht se konsiderohet një “vend i sigurt origjine” nga Bashkimi Europian. Sipas Eurostat, 178.000 shqiptarë kërkuan azil në BE në harkun kohor 2010-2018; një numër alarmant dhe i krahasueshëm me Sirinë në luftë. Në vitin 2020, Shqipëria mbajti sërish vendin e dytë për azilkërkuesit me 18 kërkesa për 100 mijë banorë. Pjesa dërrmuese e tyre janë të rinj nën moshën 34 vjeç.