Prej dy ditësh tashmë në Durrës po mblidhen firmat për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Mjedisit e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Organizatori Taulant Ferhati thonë se deri në përfundim të afatit presin të mbledhin 5000 firma.

Edhe pse hedhin firmën, vetë qytetarët janë skeptikë nëse peticioni do ta arrijë qëllimin.

“Vështirë se mund të ndryshojë gjë peticioni, se janë kapur themelet. Gjithsesi ne duhet ta firmosim, të ngrihemi në protesta”, thotë njëri prej tyre për “DurrësLajm“.

Turistët nuk mendojnë njësoj. Ata janë shpresëplotë se qeveria shqiptare do ta dëgjojë reagimin qytetar.

Tavolina për peticionin do të qëndrojë në qendër të qytetit edhe për 5 ditë të tjera.
Çdo qytetar do të mund të firmosë nga ora 09:00 deri në 11:00 gjatë paradites dhe nga ora 21:00 deri në 23:00 në mbrëmje.