Jemi në mesin e muajit qershor dhe flukset turistike në qytetin e Durrësit janë mjaft të mira. Në çdo orë të ditës, grupe turistësh, kryesisht nga vendet evropiane, vizitojnë qytetin 3000-vjeçar.

I parë me sytë e të huajve, Durrësi duket një qytet mjaft interesant ndoshta edhe sepse u kujton atyre qytetet e Evropës Lindore rreth 20 vite më parë.

Për ta, Durrësi është një vend i bekuar nga natyra dhe me klimë mesdhetare, që falë investimeve që po realizon për ngritjen e strukturave akomoduese dhe jo vetëm synon të kthehet në një destinacion mjaft të preferuar në vitet e ardhshme.  

“Po qëndrojmë në Golem dhe Durrësi është qyteti i parë ku ne po shohim Shqipërinë e vërtetë. Vendi juaj më kujton Poloninë e 20 viteve më parë. Ju keni shumë investime në proces. Njerëzit buzëqeshin gjatë të gjithë kohës, ndërsa çmimet janë më të lira sesa në Poloni. Besoj se në 5-10 vitet e ardhshme, Durrësi do të jetë një qytet modern”.

“Kemi mbërritur dje në Durrës. Pamë qytetin dhe plazhin. Na pëlqeu shumë. Shqipëria është një vend i bukur. Në gusht temperatura shkon deri në 40 gradë, prandaj erdhëm tani, sepse gjermanët nuk e përballojnë dot të nxehtin. Shumë gjermanë kanë ardhur me rulotë, sepse është bukur të rrish në natyrë”.

“Duket interesante mënyra sesi ju po zhvilloheni, sesi po ndërtoni. Mendoj se po ecin në rrugën e duhur dhe do të bëni mjaft progres. Klima mendoj se është një gjërat më të mira që ju keni dhe ajo përcakton edhe suksesin e sektorit të turizmit në vendin tuaj”.

“Po shkojmë të shohim pjesën bregdetare. Sapo ishim në amfiteatër, ishte mjaft interesante vizita në të. Klima juaj është mjaft e mirë dhe gjithashtu shqiptarët janë njerëz të mirë. Keni shumë gjëra që e bëjnë qytetin interesant në sytë e të huajve. Këtu mund të relaksohesh, por duhet të përmirësoni infrastrukturën, të keni më shumë ATM etj.”

Me grupe të mëdha turistësh që vijnë çdo ditë nga Franca, Gjermania, Austria, Polonia etj, Durrësi do të mbetet edhe këtë verë kryeqyteti shqiptar i turizmit.

Pak kaotik për qarkullimin e mjeteve, por sërish një destinacion që ia vlen të vizitohet.

“Ka shumë trafik, ndërsa shoferët manovrojnë ku të gjejnë hapësira të lira në rrugë. Duket pak si çmenduri e gjithë kjo.”

I njohur më së shumti gjatë sezonit veror për plazhet e tij ranore të shtrira për kilometra të tëra, Durrësi është shumë më tepër se kaq. Dhe të huajt që e vizitojnë, duket se e kanë konstatuar më së miri këtë gjë.

M.B.