Nga Gëzim Kabashi

Sipërfaqja prej 350 hektarë e ish-kënetës edhe pas tharjes dhe shkripëzimit nuk kishte arritur të prodhonte më shumë se 7-8 kv grurë për hektarë, dhe njëlloj dështuan edhe vaskat e ngritura për kultivimin e krapit dhe ballgjërit.

Territori bosh brenda dy dhjetëvjeçarësh u mboll me mijëra banesa gjithfarësh, pikërisht kur durrsakët po i ktheheshin nostalgjisë së hapësirës ku mund të lulëzonte përsëri peshkimi individual apo kur ëndërronin hapjen e një kanali për qarkullimin e ujrave detare nga ura e Dajlanit në Porto Romano.

“Durrësi i ri” siç kanë nisur ta quajnë territorin e ish-kënetës u krijua brenda më pak se 30 vitesh, megjithatë urbanistika e tij nuk i shpëtoi gabimeve të vjetra dhe mangësive shpesh herë themelore për jetën e një komuniteti.

Dhjetra biznese funksionojnë në rrugët kryesore dhe dytësore të kësaj zone, por mes tyre mungojnë tërësisht sheshet, të cilat siç i përcakton Fjalori i Shqipes së Sotme (Tiranë 1984) janë një “vend i hapët e i lirë, në një qendër të banuar në mes të ndërtesave ose pranë tyre”.

Në vitin 1993, kur Bashkia e Durrësit dhe politikat e lëvizjes së lirë demografike do ti jepnin të drejtë banorëve nga i gjithë vendi të suleshin drejt qyteteve të mëdha, u porosit në Universitetin e Pescarës (Itali) një Plan Urbanistik për një sipërfaqe prej 50 hektarë, pikërisht aty ku qyteti i djeshëm me 80 mijë banorë dhe këneta bashkoheshin me njeri tjetrin.

Plani i detajuar me infrastrukturë, sheshe, kinema e qendër ambulatore, që mbërriti nga vendi fqinj nuk u zbatua dot, pasi e gjithë sipërfaqja ishte mbushur shumë më shpejt me banesa të ngritura pa asnjë kriter.

Pas kësaj administrata lokale nuk bëri asnjë përpjekje për të sistemuar një lagje të re, që mund të ishte kthyer në një model mjaft të mirë për të ardhmen.

Ajo u kujdes vetëm për legalizimin e banesave pa leje.

Ndërkaq pushteti qendror i ndryshoi destinacionin të vetmes godinë, që u ndërtua në vitin 1993 dhe që shërbeu si spital ushtarak i NATO-s gjatë krizës së Kosovës.

Kompleksi me emrin “Qendra e diagnostikimit pediatrik” dhe që u ndërtua me kontributin e “Lion’s Club” (Itali) u kthye në burg (Institucioni I Ekzekutimit të Vendimeve Penale).

“Durrësi i ri” humbi një shans për ta nisur të ardhmen nga kujdesi për shëndetin e fëmijëve.

Sheshet e munguara të superlagjes me 60 mijë banorë janë dëshmi jo vetëm e babëzisë për të ndërtuar pa asnjë plan, por edhe tregues I largpamësisë së munguar të pushtetit vendor në vite.

“Durrësi i vjetër” nuk mundi tu tregonte banorëve të rinj të qytetit as rrënojat e një sanktuari antik të zbuluar në periferi të Kënetës në vitet 1980, dhe që tani fatkeqësisht është shkatërruar nga themelet e shtëpive të ngritura mbi të.

Do të ishte një kontribut më shumë, të paktën për bashkëjetesën mes tyre. /BIRN