Durrësi do të kthehet në qendrën e artit dhe kulturës nga 17 deri më 20 qershor 2026, me zhvillimin e eventit ndërkombëtar “Triangle – From Stone to Concrete”, një projekt multidisiplinar që bashkon artin bashkëkohor, muzikën, fotografinë dhe performancat artistike në hapësirat publike të qytetit.
Organizatorët e cilësojnë “Triangle” si një platformë kreative që synon të ndërtojë ura kulturore mes brigjeve të Adriatikut, duke sjellë në Durrës artistë, muzikantë dhe profesionistë të fushave të ndryshme artistike.
Programi i aktivitetit:
17 qershor/ Street Art Experience
Aktiviteti do të nisë me ndërhyrje të artit publik përgjatë vijës bregdetare, ku artistë dhe performerë do të realizojnë piktura live, instalacione artistike dhe aktivitete të hapura për qytetarët.
18 qershor/ “Sunset Lovers”
Dita e dytë do t’i kushtohet fotografisë bashkëkohore me ekspozitën “Sunset Lovers” të fotografit Griseld Hoxha. Ekspozita do të shoqërohet nga performanca muzikore e DJ Jonas Blue Malive.
19 qershor / Vasco Rossi Tribute Night
Mbrëmja e tretë do të sjellë një homazh për legjendën e muzikës italiane Vasco Rossi. Në aktivitet do të marrë pjesë edhe Davide Rogai, President i Confindustria Italia Albania, në cilësinë e tij artistike.
20 qershor/ Finalja te Sfinksi
Mbyllja e eventit do të zhvillohet në platformën panoramike të Sfinksit. Në pjesën e parë, “Stone”, do të performojë violinisti i njohur Olen Cesari së bashku me Clandestine Band. Ndërsa pjesa e dytë, “Concrete”, do të sjellë performancën e DJ dhe producentit francez Charles B, një emër i njohur i skenës elektronike evropiane.
Organizatorët shprehen se “Triangle – From Stone to Concrete” synon të promovojë Durrësin si një pikë takimi të kulturave dhe kreativitetit, duke krijuar një dialog të ri mes artit, qytetit dhe komunitetit.





