Sistemohen në shtëpinë e gjyshes, në Tiranë, dy të miturit që një ditë më parë u shfaqën lakuriq në rrugë, pranë Gjykatës së Durrësit.

“DurrësLajm” mëson se menjëherë pas bërjes publik të lajmit, njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve ka ndërhyrë për t’i shoqëruar së bashku me nënën dhe motrën më të madhe në shtëpinë e gjyshes në Tiranë.

Mësohet se nëna e fëmijëve figuronte e regjistruar në Tiranë, ndërsa në Durrës vinte për të lypur.

Drejtoresha e Shërbimit Social në Durrës, Meme Xhaferraj, na bën të ditur se në rrëfimin e saj nëna e vogëlushëve ka treguar se ishin sistemuar përkohësisht në një shtëpi të braktisur në zonën pranë Gjykatës dhe ndërsa ajo po kujdesej për vajzën e sëmurë, dy të vegjlit e tjerë janë larguar dhe kanë dalë në rrugë.

E gjithë familja është sistemuar tani në Tiranë, në shtëpinë e gjyshes, ndërkohë që mësohet se ata ishin braktisur kohë më parë nga babai i fëmijëve.

Ngjarja ku 2 fëmijët e mitur u shfaqën lakuriq në rrugë, në qendër të Durrësit ngjalli jo pak reagime mes qytetarëve.   

M.B.