Ditën e nesërme bëhen 2 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, i cili i mori jetën 51 personave dhe shkaktoi dëme të shumta materiale.

Zonat më të prekura dhe me më shumë viktima ishin Durrësi dhe Thumana.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ka folur për procesin e rindërtimit në emisionin “Koha për t`u zgjuar”, teksa ka bërë edhe një blianc.

Ajo është shprehur se janë rindërtuar 214 ndërtesa individuale, ndërsa janë riparuar 405 pallate.

“Qeveria shqiptare ka pasur në prioritet programin e rindërtimit. Ne kemi realizuar rindërtimin e 214 ndërtesa individuale. Nga ana tjetër, brenda qytetit kemi bërë riparimin e 405 pallateve, punë të cilat qytetarët nuk i realizonin dot vetë. Kemi kthyer gjithashtu në jetë normale 4 mijë familje. Ka filluar procesi i rindërtimit të pallateve po aty ku kanë qenë. Presim brenda këtij viti të ndajmë apartamentet e para.

Durrësi ka një buxhet të ndarë mes fondit shqiptar të zhvillimit dhe fondit të Abu Dabit për zhvillim. Sigurisht ky është volumi më i madh i punës. Kemi ende në proces me Institutin e Ndërtimit disa objekte që po marrin vlerësimin final të strukturave të tyre” tha Sako.

Kryebashkiakja ka folur edhe për shembjen e gjimnazit “Naim Frashëri”.

Ky gjimnaz së bashku me Gjergj Kastriotin janë futur në programin e rindërtimit. Konkluzionet ishin që duhet shembur, kjo e thënë nga Instituti i Ndërtimit. Ne pikërisht për të qenë transparentë, kemi filluar edhe programin e dëgjesave ku prezantojmë këto objekte. Në informacionin tim, nëpërmjet fondeve të BE do të ndërtohen, po zgjidhen firmat fituese dhe vitin tjetër të nisë puna në këto hapësira” tha ajo ndër të tjera.