Diskutimi i projekvendimit “Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030”, i paraqitur nga bashkia Durrës u shoqërua me debate, ku zërat më të fortë kundër terminologjisë së përdorur në relacionin shoqërues ishin ato të këshilltareve femra.
Këshilltaret e opozitës Edlira Harizi dhe Edlira Devolli evidentuan terminologjinë e përdorur në dokumentin e hartuar nga stafi i bashkisë dhe pavarësisht se drejtoresha e Shërbimeve Sociale Diola Xhango dha shpjegimet përkatëse lidhur me kundërshtitë që paraqiten këshilltaret opozitare tonet u ngritën edhe më shumë, madje këshilltarja Devolli u ankua se ju mbyll mikrofoni dhe nuk iu dha e drejta e fjalës për të sqaruar pozicionin e saj nga ana e kryetares së Këshillit, Denisa Luarasi.
Projektvendimi që ngjalli debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës u rrëzua, pasi mori 25 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim, duke mos mundur të siguronte shumicën e nevojshme.
Por pse ngjalli aq shumë debate ky projektvendim?
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Edlira Harizi, në fillim të fjalës së saj i adresoi bashkisë disa pyetje që kishin të bënin me sqarime konkrete lidhur me termin “transformimi i roleve gjinore”.
Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, sqaroi se ky term nuk ka të bëjë me ndryshimin e gjinisë nga grua në burrë apo anasjelltas, por i referohet ndryshimit të roleve sociale dhe fuqizimit të grave në situata vulnerabël, përfshirë gratë e dhunuara apo ato pas divorcit.
Xhango theksoi gjithashtu se plani nuk përjashton komunitetin LGBT dhe se synimi i tij është promovimi i barazisë dhe mbështetja e grupeve në nevojë.
Qëndrim kundër terminologjisë së përdorur mbajti dhe këshilltarja Edlira Devolli, e cila u shpreh gjatë fjalës së saj se qëllimi i këtij projektvendimi lidhet më shumë me transformimin e roleve gjinore, familjes tradicionale dhe roleve shoqërore.
“Nuk jam kundër trajtimit të të gjithë shtresave në nevojë, përfshi këtu edhe grupet që vetëidentifikohen me një orientim seksual dhe gjinor ndryshe, por kurrsesi nuk mund të hyjnë në të njëjtën paketë gratë e dhunuara dhe vajzat e trafikuara, personat me aftësi të kufizuara, që realisht kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet”,- tha ndër të tjera gjatë fjalës së saj Devolli.
Diskutimet e këshilltareve opozitare nxitën reagimet e këshilltarëve të PS-së dhe partive aleate.
Këshilltarja dhe avokatja Flutura Kasa i konsideroi një spektakël të opozitës të bërë para mediave kundërshtitë e paraqitura në mbledhje.
Këshilltari Hekuran Markola u shpreh se plani i veprimit i paraqitur nga bashkia nuk ka të bëjë me grupet që po diskutohen në mbledhje. Sipas tij, plani i veprimit ka të bëjë me barazinë gjinore por jo vetëm për gratë, për edhe për termin burrë edhe për termin grua.
“Barazia gjinore është e dyanshme, si për gratë, ashtu dhe për burrat. Nuk ka të bëjë ky plan me grupimet LGBT etj. Kush e ndjen veten grua quhet grua, kush e ndjen veten burrë quhet burrë.”,- tha Markola.
Ndërkohë këshilltarja Joniada Musaraj e trajtoi problematikën në aspektin politik duke hequr një paralelizëm mes diskutimeve në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës për këtë çështje me debatin e krijuar në Këshillin Bashkiak.
“E keni keqkuptuar. Kur themi transformim gjinor kuptojmë transformim mendësie. Barazi gjinore do të thotë që të trajtohet dhe burri dhe gruaja njësoj dhe të integrohen në shoqëri dhe të ndihmohen njësoj. Flet për transformim mendësie tradicioanle, që deri dje ne thonim që burri është i fortë dhe gruaja është vulnerabël”,- tha Musaraj.
Një reagim erdhi edhe nga kreu i grupit të PS-së Rolant Xhelilaj, i cili ftoi këshilltarët që të adresojnë pyetjet dhe sqarimet e tyre, të dëgjojnë shpjegimin e drejtoreshës Xhango dhe “nëse vijoni të jeni kundër shpreheni me votë”.
Një reagim tjetër erdhi nga radhët e opozitës, ku kreu i grupit të këshilltarëve të PD, Ardian Muka deklaroi:
“Me të drejtë drejtoresha iu referua ligjeve evropiane, strategjisë kombëtare dhe VKM-së nr.64, e vitit 2025, për ligjin për “Barazinë gjinore”. O do bazohemi në ligj, ose nuk do të bazohemi në ligj. nuk ka kjo është vetëm për gratë e dhunuara, të trafikuara, por pjesërisht edhe për LGBTQI dhe pjesa tjetër nuk përfiton. Nuk është ashtu, sepse nëse është ashtu është diskriminim përr 41 kategoritë e tjera, të cilat i ka aprovuar ligji evropian sikurse i ka aprovuar edhe parlamenti shqiptar”,- tha Muka.
M.B.





