Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku 29-vjeçari Ermir Dedja u vra me armë zjarri.

Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se autorët kanë ndjekur lëvizjet e tij dhe e kanë qëlluar në befasi, teksa ai po ecte i vetëm në trotuar, pranë qendrës shëndetësore të lagjes, ku viktima po lëvizte në këmbë, i veshur me kostum sportiv.

Persona të maskuar kanë shfrytëzuar momentin që ai po ecte në trotuarin e një pallati dhe e kanë qëlluar me armë automatike nga pas, në zonën e shpatullave, bëhet me dije sipas burimeve.

Ndërkohë, banorë të pallatit pranë vendit të ngjarjes, larg kamerave kanë dhënë të tjera detaje tronditëse për atentatin.

Një banor i një pallati përballë vendit të ngjarjes ka deklaruar se dëgjoi breshëri arme zjarri dhe në fillim mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarrë. Nga dritarja ka parë një person të shtrirë në tokë dhe ka kuptuar se bëhej fjalë për një vrasje. Sipas tij, pak më vonë mbërritën forcat e policisë dhe më pas autoambulanca që transportoi trupin e të riut drejt Spitalit Rajonal Durrës, ku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Nga informacionet e para, autorët kanë qenë në gjurmim të viktimës dhe pasi janë koordinuar për itenerarin e viktimës, kanë sinjalizuar njëri-tjetrin për të kryer vrasjen e tij dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Viktima, me origjinë nga Shijaku, por banues në Durrës, jetonte në një banesë në lagjen nr. 11 i vetëm. Ai rezulton person me precedentë penalë.

Në vitin 2015, Ermir Dedja është arrestuar pasi i kishte shitur drogë një grupi personash që synonin ta transportonin atë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës. Rasti ishte pjesë e operacionit policor të koduar “Jupa 1”. Në një tjetër rast, në vitin 2017, ai është arrestuar pasi kishte përkrahur Ismail Nuredinin në një plagosje në Shijak.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po zhvillohen hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes dhe sigurimin e provave për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia deklaron se po shqyrton pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes. Hetimet janë në vijim dhe aktualisht po shqyrtohen disa pista, por ende nuk ka një pistë të saktësuar për motivin e vrasjes.