Babai i të burgosurit Edmond Piraniqi akuzoi në “Fiks Fare” stafin e Burgut të Reçit për dhunë dhe torturë ndaj djalit.
Sipas tij, në datën 29 qershor 2024 djali i tij është gjetur pa shenja jete dhe është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku aktualisht është në koma dhe në intubim si pasojë e dëmtimeve të rënda.
Ai thotë se në letra stafi i burgut e ka shkruar se ka tentuar vetëvrasjen, por një gjë e tillë është e pavërtetë dhe se djali është gjetur në dysheme dhe me shenja të mëdha të dhunës në trup.
“Djalit i kishin ngelur edhe disa vite për të përfunduar dënimin” thotë Lulzim Pezaku, babai i Edmondit.
Ai thotë se djali i tij, 44 vjeç, ka qenë shumë mirë me shëndet. Por shton se në datën 29 qershor 2024 e kanë lajmëruar se djali ishte gjetur pa shenja jete në qeli dhe e kanë çuar në Spital.
“E vonuan shumë për të çuar. Ata në letra e kanë shkruar se ka tentuar të vrasë veten në qeli, por jam 1000 % i bindur se e kanë dhunuar. Më ankohej shpesh herë për dhunën atje, nga personeli i burgut.
E kanë çuar në spital dhe që prej 29 qershorit është në koma. Ka shenja të mëdha në trup dhe s’ka bërë tentativë vetëvrasje, por e kanë dhunuar dhe torturuar. Mjekët e Spitalit të Shkodrës na kanë thënë se e kanë dhunuar dhe tani është në intubim.
Unë kërkoj drejtësi që të zbardhet kjo ngjarje, se djali ishte 44 vjeç dhe deri më sot s’kishte pasur probleme” pohon Lulzimi.