Një krim i rëndë brenda familjes raportohet në Durrës, ku djali Esmeral Balla ka vrarë babain 62-vjeçar Enver Balla.

Burime konfirmojnë se ngjarja është regjistruar 20 ditë më parë në fshatin Shënvlash, por është zbuluar nga policia këtë të mërkurë.

Sipas asaj që është zbuluar nga hetimet e derimëtanishme, pasi e ka qëlluar me pistoletë dhe e ka hedhur në pus, djali ka kallëzuar në polici se ka humbur kontaktet me të atin.

Shkak paraprakisht dyshohet të jetë bërë një çështje parash.

Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendngjarje, ku edhe është gjetur trupi dhe arma e krimit.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohësh, që ky fshat i Durrësit trondit opinionin publik me ngjarje makabre.

Më 23 shkurt, po në Shënvlash, policia zbardhi vrasjen e 49-vjeçarit Pëllumb Meta, i cili u vra dhe u gropos nga 3 fëmijët e tij.

Edhe në atë kohë, pas asaj që ishte denoncur si zhdukje, fshihej një krim i rëndë brenda në familje.

Fillimisht krimi u mor përsipër nga e bija 19- vjeçare e viktimës, Hygerta Meta, por më pas policia zbuloi se ekzekutori ishte djali i madh i familjes, Hysen Meta, ai që kishte bërë dhe denoncimin në polici të zhdukjes së të atit më 13 shkurt.

Ai kishte qëlluar të atin me pistoletë dhe më pas, me ndihmën e së motrës dhe vëllait, e kishin groposur trupin e pajetë në kasollën e bagëtive, ku edhe u gjet 10 ditë më pas. 

Policia e Durrësit prangosi vajzën dhe dy djemtë e Pëllumb Metës, Hysenin 24 vjeç dhe Amarildon 21 vjeç, ndërkohë që nëna e tyre, Blerina Meta, 49 vjeçe po hetohet në gjendje të lirë për fshehje krimi.

Lexo edhe: