Nga Gëzim KABASHI

Violinisti Enver Qerimaj është nderuar të premten nga Presidenti I Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, një vlerësim që admiruesit e shhumtë të tij ia kishin dhënë prej kohësh, jo vetëm në qytete të ndryshme të Shqipëri, por edhe në skenat e vendeve të tjera.

Violinisin durrsak e quanin “Maestro”, që në periudhën e shërbimit ushtarak gjatë turneve në Kinë e në Vietnam. Artistin e mirënjohur e duartrokisnin gjatë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ku ai interpretonte perlat e muzikës shqiptare. 70-vjeçari Enver Qerimaj kujton kënaqësinë që i kanë dhënë duartrokitjet e publikut, por edhe vështirësitë që ka ndeshur në rrugën artistike.

Në më shumëse gjysëmshekulli karrierë artistike ai ka qenë pjesë e formacioneve të të njohura orkestrale të muzikës klasike, të cilat janë mirëpritur në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Maqedoni.

Ka kompozuar dhe orkestruar këngë të muzikës së lehtë; ka transkriptuar e më pas interpretuar me sukses edhe “Rapsodi në blu” nga Gërshëin; ka përcjellë me tingujt e violinës emocione të pafund te publiku durrsak që e çmon së tepërmi.

Por vlerësimet më të mëdha i ka marrë në skenën e Estradës së Durrësit, ndërsa vazhdon të ngjallë entusiazëm çdo mbrëmje në një nga lokalet më të mira të bregdetit “Dy kitarrat”.

Megjithë suksesin televiziv që i kanë dhënë interpetimet në skenën e gurtë të kalasë së Gjirokastrës në vitet 1970-1980 Enver Qerimaj vazhdon të ketë një pishmanllëk: mungesën e shkollës.

“Fëmijëria ime lidhet me partiturat e Paganinit dhe Mendelsonit, të cilat I luaja në koncertet që organizoheshin në kryeqytet që në fillimin e viteve ‘60-tregon Qerimaj.

E më pas shton: Isha nxënës në klasat fillore të shkollës artistike “Jordan Misja” dhe specialistët shqiptarë apo rusë që vizitonin shkollën vlerësonin talentin dhe temperamentin e interpretimit-shprehet Qerimaj.

Luaja lehtësisht çdo pjesë; kur ma kërkonin bëja edhe Moto perpetuo me duar të ftohta nga dimri tiranas dhe më pas dëgjoja kur thoshin se “ky djalë i përmbush të dy kushtet e një profesionisti të vërtetë”.

Por 12-vjeçari nga Durrësi nuk kishte raporte të mira me lëndët shkencore, e veçanërisht me matematikën. “Duket qesharake, por kjo më kushtoi largimin nga shkolla, e bashkë me të edhe përfundimin e një ëndrre”.

Në një familje me shumë fëmijë ai duhet të ushqente veten. Nga bankat e shkollës dhe skenat e teatrit kryeqytetas Qerimaj përfundon hamall në kalatat e portit detar të Durrësit.

Dhe aty çdo gjë nis nga e para. Teknikës së mrekullueshme i bashkohet edhe kantilena e muzikës popullore që fillon ta luajë me ansamblin “Mujo Ulqinaku” të portit.

Enver Qerimaj rritet jo mes bashkëmoshatarëve shkollarë por në skenat e lëvizjes amatore. Në vitin 1966 talenti i tij i padiskutueshëm e bën pjesë të orkestrës së Teatrit të Estradës, të cilën më pas e drejton për disa vite.

“Muzika për mua nuk ka dallime; një çardash hungarez duhet interpretuar me të njejtën dashuri si një kapriç i Paganinit, apo një kaba nga Shqipëria e jugut. Nuk ka rëndësi se çfarë moshe apo kulture ka dëgjuesi. Misioni i tingujve është që ta emocionojnë njëlloj atë-thotë mjeshtri i tastierës së vogël prej druri. Enver Qerimaj ka dhënë prova për këtë.

Një nga ish-drejtuesit e kulturës në Durrës tregon se në vitin 1987 këngëtarët dhe instrumentistët e Estradës ishin thirrur të intepretonin gjatë darkës shtetërore për nder të kancalerit të Bavarisë, Franz Jozef Shtraus në hotel “Adriatiku”.

Politikani gjerman e ngriti kokën nga tavolina vetëm kur Enver Qerimaj nisi me tone të ulta Kabanë e njohur.

E pas shpërthimit melodioz nuk munguan duartrokitjet e merituara.

Artisti virtuoz nga Durrësi tashmë do të ketë edhe titullin zyrtar “Mjeshtër i Madh”, një titull plotësisht i merituar.