Ata mbeten grupet sociale më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare dhe me nivelin më të ulët ekonomik.

Bëhet fjalë për komunitetin egjiptian dhe rom, që në këto 32 vite demokraci janë shpesh të paragjykuar dhe të pa integruar në shoqëri dhe tregun e punës.

E ndërsa romët dhe egjiptianët i kemi parë shpesh të kryejnë punë të rëndomta, kjo vjen për shkak të nivelit të ulët arsimor të tyre.

Këtë fakt e dëshmojnë dhe statistikat që “DurrësLajm” siguroi pranë Zyrës Vendore Arsimore dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Për shkak se arsimi 9-vjeçar është i detyrueshëm, fëmijët e këtyre dy komuniteteve e ndjekin atë, por krejt e kundërta ndodh në ciklin e mesëm.

Këtë vit arsimor (2022-2023) në bankat e shkollave 9-vjeçare të bashkisë Durrës janë ulur 647 nxënës nga komuniteti egjiptian dhe 198 nga ai rom.

Ndërkohë, ulja është drastike në ciklin e mesëm, ku vihet re një braktisje masive.

Në shkollat e mesme të Durrësit këtë vit mësojnë 26 egjiptianë dhe vetëm 8 romë. E thënë në përqindje vetëm 3% e fëmijëve të këtyre dy komuniteteve që mbarojnë ciklin 9-vjeçar zgjedhin të frekuentojnë arsimin e mesëm.

Në rrugët kryesore dhe zonat më të frekuentuara të qytetit janë të përditshme situatat kur fëmijë të mitur të komunitetit rom i sheh duke lypur, shpesh edhe pranë prindërve të tyre, ndërkohë që duhet të ishin në shkollë si bashkëmoshatarët e tyre.

Shifrat mjaft të ulta të shkollimit vijojnë edhe në ciklin e lartë, ku sipas të dhënave të UAMD-së, vitin e kaluar akademik (2021-2022) kanë ndjekur studimet bachelor 8 studentë nga komuniteti rom dhe egjiptian dhe vetëm 1 student studimet master. Ata nuk janë të gjithë nga bashkia Durrës, por edhe nga rrethet.

Braktisja e shkollës në masë në ciklin e mesëm dhe më pas edhe atë të lartë është dëshmi e qartë e nivelit të ulët kulturor dhe arsimor të këtyre pakicave kombëtare në vendin tonë.

Të ardhurat e ulta janë shpesh faktor kryesor, që shtyn prindërit e komunitetit egjiptian dhe rom të largojnë fëmijët e tyre nga ndjekja e studimeve. Niveli i varfërisë në radhët e komunitetit Rom dhe Egjiptjan është dy herë më i lartë se në pjesën tjetër të popullatës

Punësimi shërben edhe si indikator i përfshirjes sociale të një grupi komunitar në shoqëri. Por anëtarët e këtyre dy komuniteteve shpesh punojnë në mënyrë informale, me ditë  pune dhe në shumicën e rasteve klasifikohen si punonjës jo të kualifikuar. Për pasojë, të ardhurat mjaft të ulta u pamundësojnë përballimin e shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve.

M.B.