Nga Gëzim KABASHI

Koncerti i ditës së martë me violonçelistin e shumëvlerësuar Marc Coppey, i cili do të sjellë në teatrin “A. Moisiu” të Durrësit tre Suita nga J S Bach, do të përmbyllë edicionin nr 10 të Bienales “Netët e Muzikës klasike”.

Artdshësit durrsakë dhe jo vetëm, kanë shijuar gjatë veprimtarisë verore, njëherazi elemente nga dy arte.

Themeluesi dhe drejtuesi i Bienales, Florian Vlashi, edhe këtë herë bashkë me periudhat muzikore që i lanë vendin njera tjetrës prezantoi një fill të ri lidhjeje mes arteve, atë të Muzikës dhe Pikturës.

Duke ruajtur strukturën e Festivalit sipas epokave muzikore, Netët e Bienales u organizuan me tre pjesët e triptikut të El Boscos: Kopshti i Edenit, Kopshti i Kënaqësive dhe Ferri Muzikor.

Mbrëmjen e kaluar gjashtë instrumentistë nga Durrësi e Tirana interpretuan në koncertin më të bukur të Bienales ’21.

Spektatorët e shumtë në sallën e teeatrit të Durrësit ndoqën në heshtje të plotë veprat e J. Strauss (junior), A. Ëebern dhe A. Schoenberg, për të duartokitur shumë gjatë në fund, jo vetëm lojën e artistëve, por edhe informacionin tepër interesant mbi jetën e autorëve, kompozitorë dhe piktorë të shquar.

Të pranishmit në sallë janë ndjerë si në “Shoqërinë Private tē Koncerteve”, ku Schoenberg kërkonte që autorët mos tē kishin asnjë ndërhyrje nga publiku, apo nga kompozitorë të tjerë, as edhe nga kritikët apo interpretët, me një fjalë: liri absolute ndaj shijeve të shoqërisë.

“Në këto koncerte – tha Florian Vlashi në fjalën prezantuese, nuk lejoheshin duartrokitjet, as fërshëllimat e as lavdërimet.

Aty ishte shpirti i artistit lakuriq pa qenë nevoja e gjykimit nga të tjerët”.

“Ferri muzikor” i drejtuesit Florian Vlashi në natën e parafundit të Bienales ishte një sukses i merituar, meritë e instrumentistëve Vlashi, Laura e Arben Llozi, Mario Guralumi, Etrita Ibrahimi dhe Xheni Turku.

Koncerti që filloi me valset e Strausit përfundoi me “Brigadën e hekurt”, një tallje tragjike mbi luftën, mbuluar me pikturën e vetë Schoenbergut “Shikimi i kuq”.

Pikturat e Klimt dhe jo vetëm, që ilustruan veprat muzikore të mbrëmjes, ia lanë vendin në fund një kolazhi muzikor, që shoqëroi montazhin fotografik të afro 30 pikturave më të njohura të artistëve botërorë me temën “Puthja e artë”.

Siç tha artisti Florian Vlashi: “Nuk pretendojmë të gjykojmë, kritikojmë apo të duartrokasim askënd në këtë histori, aq më pak sot kur intimiteti ynë është më shumë se kurrë i rrezikuar.

Vetëm duam të themi se në Muzikē ashtu si edhe në Dashuri, është shpirti ynë lakuriq përpara një pasqyre ku reflektohet ana më e fshehtë e më e fisme e jona, aty ku “zemra ka arsyet e veta qe arsyeja nuk i njeh…” 

Një natë më parë, dy studentë pianistë, fitues të Cmimit të Bienales “Solisti i Ri”, në edicionet 2015 dhe 2017, si dhe pedagogu Edmonnd Buharaja ishin protagonistët e mbrëmjes me temë “Idetiteti tingëllor Iliro-Arbëror-Shqiptar”.

Buharaja, autor i botimit akademik  “Niceta i Remessiana-s” i paraqiti të pranishmëve një informacion të bollshëm mbi autorët ilirë që nga shek 4-5, si dhe mbi kontributet e tyre veçanërisht në muzikën kishtare.

Materialet audio dhe video, kuujdesi i artistëve durrsakë 30 vjet më parë për të risjellë muzikën e Jan Kukuzelit, si dhe interpretimet e korit të Filarmonisë së Kosovës, krijuan mjaft interes te dëgjuesit.

Pianisti i ri durrsak Erl Lila luajti katër pjesë të shkruara prej tij, duke marrë vlerësimet e të pranishmëve, njëlloj si pianistja Laura Sulaj, e cila pas disa koncerteve brenda dhe jashtë vendit, do të fillojë studimet në Akademinë e Krakovit (Poloni).

“Nata e Muzikës romantike” zuri një vend të veçantë në programin e Bienales së këtij viti.

Ashtu si Arben dhe Laura Llozi, babë e bijë, që interpretuan në të njejtin formacion instrumental, në mbrëmjen e muzikës romantike, violonçelisti i ri  Martin Vlashi, luajti përkrah të jatit, Florianit dhe pianistes Etrita Ibrahimi, “Sonatën” nga J. Herrando.

Më pas dueti Vlashi – Ibrahimi dëshmuan përvojën e gjatë koncertale edhe në veprat e tjera të autorëve spanjollë M. de Adalid, E. Granados, J. Turina.

Mbrëmja e sonatës spanjolle u ilustrua me veprat e piktorëve Goya dhe Dali.

Bashkë me koncertet në teatrin “A Moisiu”, me temë “Në kopshtet sekrete të Muzikës e Pikturës” Florian Vlashi do të intepretojë sot në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë, duke ruajtur traditën e takimeve muzikore në spitale apo në institutin e riedukimit të të rinjve.

Konkursi “Solisti I ri” brenda strukturës së Bienales, këtë vit për herë të parë ka shpallur dy fitues, të cilët do të udhëtojnë drejt Spanjës dhe Italisë për koncerte dhe masterclass.

Bashkë me instrumentistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, në këtë edicion krijuan emocion edhe artistë nga Italia dhe Franca.