Numër rekord rezervimesh në hotelet e Durrësit me rastin e festave të nëntorit.

Shqiptarët e Kosovës e kanë kthyer në traditë tashmë që 28 dhe 29 nëntorin, festën e flamurit dhe atë të çlirimit të Shqipërisë t’i kalojnë në atdheun amë.

“Momentalisht, tani që po flasim kemi 89% të hotelit të rezervuar. Durrësi, jo vetëm këtë vit, por prej disa vitesh tashmë është kthyer në një destinacion për të festuar Festën e Flamurit. Pavarësisht se qyteti i flamurit është Vlora, dhe pikërisht ky qytet kthehet në epiqendrën e festimeve, shtetasit nga Kosova zgjedhin më shumë të rrinë Durrësin, sepse qyteti ynë ofron një atmosferë më të ngrohtë. 80% e rezervimeve janë nga shtetas nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër janë nga qytetet shqiptare”,- thotë për “DurrësLajm”, Blerim Norja, menaxher i njërit prej hoteleve në zonën e plazhit.

Për të krijuar një atmosferë sa më festive, edhe dekori në hotelet e qytetit është realizuar me ngjyrat kuq e zi. Flamujt dhe simbolet e tjera kombëtare janë të pranishme në shumë ambiente. Një rëndësi të veçantë hotelet i kanë kushtuar edhe menusë festive, ku gjithçka do të flasë shqip.

“Hotelet janë organizuar me muzikë dhe valle tradicionale. me ushqime tradicionale, që i përshtaten kësaj feste.”,- na tregon Norja.

Po ndërsa shumë bashkëkombas tanë vijnë të kalojnë festat në atdhe, shumë qytetarë, duke përfituar edhe nga fundjava e gjatë dhe ditët e pushimit, zgjedhin të udhëtojnë drejt destinacioneve si Dubai, Amsterdami, Parisi, Roma, Firence apo Dubrovniku.

Jashtë kamerës, administratorët e agjencive turistike thonë se kërkesat janë të larta dhe po mbyllen prenotimet e fundit. Krahasuar me një vit më parë, ka një rënie të lehtë të prenotimeve, nisur edhe nga rritja e çmimit të ofertave turistike për disa nga destinacionet më të preferuara.

M.B.