Nga Gëzim Kabashi

Një autovinç i specializuar për peshat e rënda ka vendosur paraditen e djeshme blloqet e para restauruese për rindërtimin e kullës C të kalasë së Durrësit.

Objekti i shpallur vite më parë “monument kulture” u shemb pas lëkundjeve sizmike të tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe do të rindërtohet me materialet e vetë kullës që u shkatërrua.

Inxhinjer Stavri Burda, projektues I këtij restaurimi tha për BIRN se dy blloqet e parë prej tullash me një peshë të përgjithshme prej 22 tonë, u vendosën pikërisht në vendet nga ku ishin rrëzuar, dhe në të njejtën mënyrë do të procedohet edhe për pjesën në vazhdim.

Njëri prej blloqeve masive që ka zënë vend dje në pjesën e dëmtuar të kullës ka peshë rreth 16 tonelata, ndërsa i dyti afro 6 tonelata – shtoi arkitekti Burda, sipas të cilit pas disa javësh pune për konsolidimin e mëtejshëm të strukturës do të vendoset edhe një bllok tjetër me peshë prej 16,5 tonë.

Sipas specialistit, një nga shkaqet e shkatërrimit të kullës C, që ka një lartësi prej më shumë se 10 metra, lidhet me faktin që banorët gjatë dhjetëvjeçarëve dhe shekujve të kaluar kanë hequr nga muret dhe themelet e kullës mjaft gurë dhe blloqe, të cilët janë shfrytëzuar për ngritjen e godinave të tjera në lagjet pranë fortifikimit mesjetar.

Nga ana tjetër restaurimi gjatë periudhës së sundimit Osman e ka rënduar dhe dobësuar një prej faqeve të murit fortifikues.

Procesi që po ndiqet nga organizata Trashëgimia Kulturore Pa Kufij pritet të përfundojë brenda një periudhe 10-mujore dhe po mbështetet financiarisht nga Fondi I Ambasadorëve dhe Ambasada e SHBA në Tiranë..

Muret rrethuese të qytetit antik, ku bën pjesë edhe Kulla C janë ndërtuar në shekullin e 5-të, kur perandoria bizantine udhëhiqej nga Anastasi i I, me origjinë nga Durrësi.

Lëvizja e kalimtarëve që shfrytëzojnë portat shumëshekullore të murit fortifikues për të lëvizur nga qendra historike e qytetit drejt lagjes bregdetare ngjall edhe sot kureshtjen e vizitorëve dhe turistëve, të cilët gjejnë në të njejtin territor edhe amfiteatrin e lashtë.