Pak ditë më parë, kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani u konfirmua për një mandat të dytë në krye të avokatëve durrsakë.
Mandati i parë 4-vjeçar nuk ka qenë i lehtë, sepse sistemi i drejtësisë kaloi përgjatë këtyre viteve disa sfida të rëndësishme si aplikimi i hartës së re gjyqësore, që u shoqërua me mbylljen e Gjykatës Administrative dhe të Apelit në Durrës, ndarjen e Gjykatës së Shkallës së Parë në dy seksione, Civil dhe Penal, protestat e avokatëve në Tiranë dhe rrethe, dhunimin e deri vrasjen e avokatëve dhe gjyqtarëve (rasti i avokatit Sokol Mëngjesi apo ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit) etj.
I pyetur nga “DurrësLajm” se cilat do të jenë prioritetet e punës së tij si kreu i Dhomës Vendore të Avokatisë për 4-vjeçarin e ardhshëm, Petani shprehet:
“Kemi nisur një procedurë, ku i kemi kërkuar Drejtorisë së Burgjeve që të marrë iniciativën për të rehabilituar ambientet e pritjes së avokatëve pranë institucionit të vuajtjes së dënimit në Durrës, pasi ambienti dhe kushtet që ai ofron nuk janë në nivelin e duhur për të realizuar takimin e avokatëve me klientët e tyre.
Jemi ende në diskutim me Gjykatën për krijimin e ambienteve ku avokatët të studiojnë dosjen, ta fotokopjojnë atë dhe për të marrë materialet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Durrës, të seksionit Civil dhe Penal.
Kemi bërë së bashku me Dhomën e Avokatisë në Tiranë një nismë për ndryshimin e disa tarifave sepse janë shumë të vjetra; si ato të përfaqësimit të avokatëve kryesisht në gjykatë. Kemi bërë disa takime me kryetarin e dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia për ndryshimin e këtyre tarifave”.





