Manastiri i Shën Vlashit ka hapur dyert mbrëmjen e së dielës për besimtarët e shumtë, që ndoqën nga afër të gjitha shërbesat fetare në kuadër të kësaj date të rëndësishme të kalendarit të besimit ortodoks.

15 gushti njihet ndryshe si Pashka e verës dhe përkon me ngjitjen në qiell të të shenjtës Mari, nënës së Jezu Krishtit.

Kremtimi i “Të Ngjiturit të Zojës Mari në Qiell”, i përshtatur në traditën kishtare nga riti bizantin, konsiderohet si mbrëmësorja e të Dielës së Madhe të Pashkëve: është, simbolikisht, Nata e Pashkëve të Zojës Mari!

Ngjitja e Marisë në qiell është lumnimi i saj, prandaj pjesa më e madhe e besimtarëve e kalojnë natën në kishë dhe ndjekin nga afër meshat dhe liturgjitë fetare që mbahen me këtë rast.