Detaje të reja janë mësuar në lidhje me zjarrin që përfshiu një godinë të braktisur në lagjen nr.3 të Durrësit.
Një banor, i cili pretendon se është trashëgimtar i pronës, deklaroi se dyshon se zjarri është vendosur qëllimisht. Sipas tij, objekti është lënë të degradojë ndër vite dhe kjo është hera e tretë që përfshihet nga flakët.
Ai tha gjithashtu se është në proces gjyqësor për çështjen e pronësisë së truallit, duke ngritur pretendime se po tentohet t’i merret prona.
“Është objekti më i vjetër në Durrës. Ka qenë i banuar, por e lanë të rrënohej që ta përvetësonin. Ky është truall i fisit Goga, unë jam trashëgimtari. Është hera e dytë që i vënë zjarrin. Jam në proces gjyqësor. Kërkon ta përvetësojë kisha truallin”, tha banori.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar një person për të dhënë deklarime, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.





