Me fillimin e sezonit turistik të kësaj vere në Durrës, kanë nisur të mbërrijnë dhe turistët e parë të huaj.

Përveçse plazheve të shumta, Durrësi i ofron turistëve edhe një histori gati 3 mijë vjeçare, me një trashëgimi të pasur kulturore.

Siç shihet edhe nga pamjet filmike që sjell operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi një grup turistësh të huaj kanë zgjidhur për të vizituar ditën e sotme Forumin Bizantin në Durrës, i njohur ndryshe si “Rotondo”, gjithashtu kanë vizituar dhe “Banjat / Termat Romake”. Sitet e trashëgimisë kulturore janë ato që tërheqin gjithnjë vëmendjen e të huajve, nga të gjitha vendet e botës.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama është shprehur se ky sezon turistik do të jetë më i miri në të gjitha aspektet, pasi është punuar intensivisht prej afro një viti për pastërtinë.

Durrësi hapi zyrtarisht sezonin veror më 3 maj dhe pritshmëritë e operatorëve turistikë janë të larta. Konflikti i armatosur në Ukrainë duket se nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e sezonit, pasi mungesa e turistëve ukrainas po zëvendësohet me turistë nga vende të ndryshme.

Në këtë mes muaji maj, operatorët turistikë konstatojnë një kërkesë të shtuar për rezervime nga agjencitë partnere të huaja me të cilat bashkëpunojnë.

Pas dy viteve të vështira për shkak të tërmetit dhe pandemisë, verën e vitit të kaluar pati dyndje pushuesish përgjatë bregdetit të Durrësit, ndërkohë që parashikimet e këtij sezoni që sapo ka nisur janë edhe më të mira.

Si gjithnjë, turizmi patriotik pritet të regjistrojë shifrat më të larta të pushuesve për t’u pasuar më pas nga turistët nga vendet e Evropës Lindore.