Abuzimi i denoncuar nga vetë Posta Shqiptare lidhur me shpërdorimin e sasive të konsiderueshme parash, që kapin shifrat e miliona lekëve, nga filiali në Durrës është kthyer në temë kryesore diskutimi në opinionin publik në qytetin bregdetar.

Një ditë më parë, u mësua shkarkimi i drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj dhe dorëheqja e shefes së financës Valbona Duni.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të zbardhur vjedhjen e parave dhe personin/at që fshihen pas kësaj ngjarjeje.

E ndërsa organi i akuzës pritet të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të paprecedentë, vëmendjen na e tërhoqi një postim i bërë pak muaj më parë nga bashkëshorti i drejtoreshës Mataj.

Më datë 6 prill, shtetasi Feta Mataj, i njohur nga organet e rendit dhe ato të drejtësisë, publikonte në rrjete sociale një shprehje që duket paksa e dyshimtë:

“Kurrë mos ua trego njerëzve se ku e merr bukën me të cilën mban familjen… do të vrasin bukëpjekësin dhe do të djegin furrën”,- shkruhet në postim.

Pyetja që lind në këtë rast është: Çfarë donte të thoshte autori me këtë shprehje?