*Organizim mahnitës, në ditë të bekuar dhe mjedis elektrizues

*Quhen Fred Shoshi dhe Enton Kikrri, që po i japin Durrësit historinë e boksit

Nga BUJAR QESJA

Jo gjatë do të shkruaj, pasi mbrëmë shpreha diçka mbi veprimtarinë ndërkombëtare të boksit, që organizuan në Durrës Fred Shoshi dhe Enton Kikrri. Nga ora 16.30 deri në 23.00 të 29 nëntorit 2024, u bë vetëm boks në pallatin e sportit në Durrës. Dhe ky pallat përjetoi shpërthim të jashtëzakonshëm. I tërë parketi poshtë dhe dy anët e trbunave ishin full, plot.

Sa bukur! Sa mrekulli! Sa shans i mirë për t’u çfrytëzuar! Mund e lodhje sa të duash. Por edhe kënaqësia mbeti jashtë çdo parashikimi për një organizim model, të nivelit të lartë ndërkombëtar, që na zbardhi faqen e na bën krenar, për mundësitë e mëdha që kemi dhe ku lipsen çfrytëzuar akoma më shumë.

Bashkia e Durrësit, mbështeti një projekt ambicioz të kopsitur deri në detaje nga presidenti i boksit durrsak dhe nga mbështetësit më të fuqishëm të boksit shqiptar Fred Shoshi dhe mjeshtri i trajnimit, krenaria e ringut Enton Kikrri.

Ndër mbështetësit e këtij projekti, veçon edhe angazhimi i biznesmenit të njohur, djalit nga lagja e hershme Sefer Efeniu, nipi i boksjerit të njohur Ymer Reçi, me emrin dhe mbiemrin Ardian Reçi.

Kemi ndjekur ndeshje cilësore ndërmjet boksjerëve durrsakë, të ardhur edhe nga diaspora, nga Tirana e gjetkë, me boksjerë të huaj ndër to nga Italia, Hungaria, Turqia, Ukraina, madje edhe nga Nikaragua.

Janë shumë boksime që ia vlejnë të mbeten si medalja më e përkryer, e asaj që u pa në pallatin e sportit në mbrëmjen e 29 nëntorit 2024, si Ardit Murja, Mexhit Hyseni, Alban Beqiri etj. Zhvillim të madh ka marrë ky sport në Durrës dhe në disa qytete të Shqipërisë.

Po rritet steka e konkurimit. Murja udhëton për në Dubai, për të bërë boksim profesionistësh me yje të këtij sporti në botë. Punohet shumë. Rinia po tërhiqet pas “Titans Hights”, që bashkëpunon ngushtë me klubin shumësportesh “Teuta”.

Ia vlejnë këto rradhë, për të evidentuar këtë potencë organizuese të Fred Shoshit dhe Enton Kikrrit, nga më të mirat e deritanishme. Pallati gulçonte nga ngarkesa. Mosha të ndryshme, të rinj e të reja inkurajonin idhujt e tyre të boksit, që bashkuar me ndriçimin dhe impjantin fonik, dhanë nga çfaqjet spoprtive më të denja, më tërheqëse, që të mbushin me besim për më tej.

Nën shoqërinë e miqve të mi dhe pasionantëve të boksit Ardian Reçi, Kastriot Xherrai dhe Artur Karuli, ishim në qiellin e shtatë, për atë çka pamë dhe për atë çka ndjemë.

Ju lumtë Fred Shoshi dhe Enton Kikrri, për këtë festë të madhe të boksit që i dhatë Durrësit, në këtë mbrëmje të paharruesdhme! Paçi bekimin e sportëdashësve durrsakë dhe jo vetëm!

Mbi bazën e arritjeve dhe përvojës së krijuar, mbetemi besimplotë për organizime edhe më të arrira në të ardhmen.

Durrës: 30 nëntor 2024

*Në pamje, nga e majta: Ardian Reçi mbështetës i boksit në Durrës, Enton Kikrri, organizator i mbrëmjes së boksit, mjeshtër i trajnimit, Fred Shoshi organizator i mbrëmjes së boksit, president i boksit durrsak dhe zëvëndëspresident i FSHBo, Mario Luadhi, Florent Kalidhopulli president i FSHBo dhe Edmond Luadhi Diamma Resort, sponsor.