Fushata kombëtare e nisur nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore lidhur me sigurinë në punë në sektorin e ndërtimit është ndalur edhe në Durrës.
Nën sloganin “Vende Pune të Shëndetshme”, fushata ka vendosur në qendër mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve. Në Durrës, në tryezën e përbashkët të organizuar nga Inspektoriati i punës me përfaqësues të sektorit të ndërtimit u theksua nevoja për forcimin e menjëhershëm të kulturës së sigurisë në punë, në një sektor që mbetet ndër më të ekspozuarit ndaj aksidenteve.
“Këtë vit është zgjedhur ekzaktësisht sektori i ndërtimit dhe i është vënë theksi i përdorimit të pajisjeve të mbrojtjes individuale, të cilat janë protokolle të përcaktuara shumë qartë në ligj sesi duhet të jenë të veshur punëtorët në një ambient pune, në përshtatje me rreziqet dhe kushtet që ka një proces pune i caktuar”,- u shpreh Eljo Muçaj, Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Sektori i ndërtimit është ndër më të ekspozuarit ndaj aksidenteve në punë, kjo edhe për shkak të bumi, që ky sektor ka vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë vendin janë aktive mbi 1000 kantiere ndërtimi, ndërsa incidentet më të shumta regjistrohen në Tiranë dhe Durrës. Sipas drejtorit vendor të këtij inspektoriati, Bledar Voka, ky takim do të pasohet nga fushata në terren.
“Takimi i sotëm do të jetë i fokusuar drejt orientimeve sensibilizimeve dhe këshillimeve. Trupat inspektuese do të jenë edhe në terren përsa i përket këshillimeve dhe sensibilimit të punonjësve, të cilët do të përmbajnë broshura për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale. Dhe pas kësaj, në një kohë të dytë do të vazhdojmë me inspektime dhe masa administrative”.
E shtrirë gjatë gjithë muajit maj në të gjithë territorin e vendit, fushata do të shoqërohet me intensifikim të kontrolleve në terren, shpërndarje të materialeve informuese dhe angazhim të drejtpërdrejtë me subjektet ndërtuese dhe përfaqësuesit e punëmarrësve, me synimin për të ulur numrin e aksidenteve, për të rritur zbatimin e standardeve ligjore dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.
M.B.





