Hyrja e një noteri në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku qëndronte i izoluar në muajin gusht 2023, shefi i Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri, ka ngjallur dyshime të forta për prokurorët e SPAK, që hetonin veprimtarinë kriminale të personave të arrestuar në dosjen “Metamorfoza”.

Ky noter në datën 3 gusht 2023 ka takuar pikërisht Oltian Bistrin, i cili ishte personi thirrës, duke bërë më pas redaktimin e një prokure të përgjithshme noteriale, nëpërmjet së cilës i arrestuari Oltian Bistri, i ka dhënë tagra bashkëshortes së tij, D. Bistri.

Kjo e fundit është autorizuar nga bashkëshorti i saj që ta përfaqësojë në pjesën takuese të pasurive që ai disponon, t’i shesë apo dhurojë plotësisht apo pjesërisht me të gjitha format e tjetërsimit.

Konkretisht, vetëm dy javë më pas në datën 21 gusht 2023 nga bashkëshortja, babai, mamaja dhe vëllai i ish-shefit të Operacionales Oltian Bistri, janë revokuar 5 akte noteriale për blerjen e pasurive të paluajtshme të lloji Apartamente dhe dyqane tek shoqëria “Arlis Beton”, e cila është në pronësi të Armand Lilos.

“Ora News” ka mësuar se për këto pasuri që është revokuar kontrata noteriale, rezulton të jetë paguar nga këta persona në total një shumë financiare prej 1 milion euro.

Ndërkohë sipas prokurorëve kjo tregon frikën që personi nën hetim Oltian Bistri, ka pasur se këto pasuri mund ti sekuestrohen, duke qenë se ai është një person që ka njohuri të mjaftueshme për dispozitat ligjore pasi ka ushtruar detyrën në funksione të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Nisur nga këto veprime të kryera përmes revokimit të kontratave noteriale, SPAK ka vendosur të hapë një hetim pasuror për ish-shefin e Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri.

Hetimi pasuror ndaj tij është bërë në bazë të ligjit “Antimafia” dhe për të vënë në jetë këtë hetim në datën 11 Prill 2024 është hapur veçmas çështja Nr.6, duke shtrirë verifikimet jo vetëm tek Oltian Bistri, por të gjithë personat e familjes dhe fisit.

Dhe për të gjetur indiciet e arsyeshme për përfshirjen e Oltian Bistrit, në veprimtari kriminale që përthithen dhe nga ligji “Antimafia”, prokurorëve të SPAK-ut ju desh të kthenin sytë nga arkiva e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pikërisht në këtë arkivë është gjetur një çështje që ka shërbyer si indicie për përfshirjen e Oltian Bistrit, në veprimtari kriminale.

Në dosjen hetimore thuhet se këto indicie datojnë që në vitin 2016, kohë në të cilën, Oltian Bistri, ka qenë me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Pogradec.

Konkretisht nga aktet e administruara rezulton se, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më 30 dhjetor 2016 ka regjistruar procedimin penal nr. 340, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Nga aktet e këtij procedimi penal rezulton se ky procedim penal është regjistruar pasi Agjencitë Ligjzbatuese në vend (SHISH) kishin marrë informacione se disa shtetas kishin grumbulluar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në disa vende në Rrethin e Pogradecit me qëllim trafikimin e saj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu rezultonte se në këtë aktivitet kriminal ishin përfshirë dhe punonjës të policisë Pogradec.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë vendosur në përgjim disa numra telefonikë celularë në përdorim të shtetasve të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal, ku ndër të tjerë edhe numrat celularë +355693128XXX dhe +355694114XXX, në përdorim në atë kohë nga Oltian Bistri.

Këto përgjime janë vleftësuar të ligjshme nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por për këtë çështje një prokuror i Krimeve të Rënda, më pas ka shpallur moskompetencën duke ja kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Pogradecit, e cila dosjen më tej e ka pushuar.

Por pavarësisht kësaj, duke qënë se ndaj Oltian Bistrit, ka pasur indicie, që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të dosjes “Metamorfoza” të regjistruar në SPAK, Oltian Bistri është futur si subjekt i ligjit “Antimafia” duke ju nënshtruar masave parandaluese pasurore.

SPAK thotë se Oltian Bistri dhe familjarët e tij, të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për Oltian Bistrin, janë kryer gjatë fazës së hetimeve penale si dhe verifikimeve pasurore, një sërë verifikimesh pasurore, prej të cilave kanë rezultuar se disponojnë pasuri që në vlerë janë disa herë më të larta se të ardhurat e përfituara prej tij dhe familjarëve të tij në mënyrë të ligjshme.

Familja e Oltian Bistrit dhe vëllai i tij Ervin Bistri është futur në hetim pasuror që shtrihet thellë në kohë. Ndërkohë vëllai i Oltit, Ervin Bistri dhe prindërit kanë pretenduar se të ardhurat financiare i kanë siguruar gjatë punës në emigracion në Greqi.

Nga ana tjetër bashkëshortja e Bistrit, shtetësja D. Bistri është aksionere me 10 për qind në kompaninë “Mom Consulting” e cila ka një kapital të deklaruar prej 150 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër të aksioneve e zotëron A. Quku. 

Sipas SPAK, në 3 Maj 2012 biznesmeni Artan Sherifi i ka shitur 21 pasuri vëllait të Oltian Bistrit, Ervin Bistrit dhe dajës së tij Artur Dadaj me një vlerë prej 510 mijë euro.

SPAK kryer verifikime tek daja, prindërit, vëllai, gruaja, vjehrri, vjehrra e deri tek djali i xhaxhait të Oltian Bistrit. Ervin Bistri në vitin 2019 ka blerë apartament tek Armand Lilo me vlerë 200 mijë euro.

Gjithashtu në gusht 2022 Ervin Bistri ka blerë një pasuri tek biznesmeni Abaz Dino me një vlerë prej 130 mijë euro. Kjo pasuri ndodhet në rrugën e “Kosovarëve”.

Në qershor 2022 sërish Ervin Bistri, ka blerë tek Armand Lilo një apartament 50 mijë euro. Ndërkohë në 2 mars 2022, Ervin Bistri, ka blerë një apartament tek kompania “Park Construction Albania” me vlerë 65 mijë e 844 euro.

Në 2017, Ervin Bistri ka blerë tek Armand Lilo një dyqan me vlerë 320 mijë euro. Por kjo blerje është revokuar më pas ku Armand Lilo duhet ti kthejë brenda muajit dhjetor 2024 sasinë e eurove Ervin Bistrit.

Po ashtu në muajin Mars 2019 Ervin Bistri ka blerë tek Armand Lilo një apartament me vlerë 200 mijë euro. Kjo kontratë është revokuar. Por në 2013 sërisht Ervin Bistri ka blerë tek Lilo një apartament me vlerë prej 46 mijë euro.

Blerje tek Armand Lilo ka bërë dhe nëna e Oltian Bistrit, e cila ka prenotuar një dyqan me vlerë 230 mijë euro, nga të cilat 120 mijë euro janë likuiduar. Por tashmë kjo kontratë është revokuar.

Edhe babai i Bistrit, ka blerë tek Armand Lilo një apartament me vlerë prej 200 mijë euro, por kjo kontratë është revokuar. Në vitin 2011-n, D. Bistri ka blerë një apartament me vlerë 85 mijë euro.

Disa pasuri tek Armand Lilo janë blerë dhe nga Oltian Bistri. Ndërkohë në dosje ndodhen dhe disa kontrata huaje që Bistri dhe bashkëshortja e tij, kanë dhënë mijëra euro tek persona të tjerë.

Kështu në 2011-n Bistri i jep hua N. Merko shumën prej 75 mijë euro, ndërsa në 2015 D. Bistri i ka dhënë hua 300 mijë euro Artan Dinos.

D. Bistri ka deklaruar se këto shuma financiare i ka pasur si dhuratë për fejesë nga familja prindërore, të cilët i kishin kursyer nga aktivitete të ndryshme gjatë viteve, si punë në emigracion, kambizëm etj.

Por SPAK thotë se nga analizimi i të dhënave nga ekspertët financiarë prindërit e bashkëshortes së Bistrit nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar shumën prej 300 mijë euro.

Pjesë e sekuestrimeve nga SPAK janë dhe dy apartamente të blerë nga J. Bistri, djali i xhaxhait të Oltian Bistrit.