– Kujtime, mbresa, dëshmi, histori
NGA BUJAR QESJA
15 qershor 2025. Shoku ynë i vjetër Moikom Zeqo pesë vite më parë mbylli sytë, ndali frymëmarrjen. Dhe e kujtojmë me këto rradhë.
Në fëmijëri emri i tij ishte Molotov. Me këtë emër shkoi në shkollë të lartë. Me këtë emër përfshihet edhe në arkivën e notit durrsak dhe jo vetëm, pasi ishte delfinist i fuqishëm. Me lëvizjet e krahëve dhe të këmbëve, Molotov Zeqo kthehej në gjigand, mbuluar me shkumën që krijonte uji gjatë notimit.
Sipas dëshmive, ka qenë senatori i përjetshëm i letërsisë shqipe Ismail Kadare, mësuesi dhe frymëzuesi i Zeqos, i cili i propozoi që emri Molotov të zëvëndësohej me Moikom. Dhe kështu u bë. Molotov mbetet kujtim i largët, pasi gjithçka pas kësaj do të kthehej në Moikom Zeqo.
Jo pa shkak vendosa një trio në titull të shkrimit. Është Qemal Hidri shkaku, që e çfaqi në pasditen e sotme këtë foto të artë, me fuqi kujtese dhe spikatëse shpirtërore, duke e goditur trurin tim m’u aty ku ndjeshmëria nuk të fal. Qemali është djali i Shaban Hidrit, figurë madhore i publiçistikës, veçmas i gazetarisë durrsake.
Kur u vendos botimi i gazetës ” Adriatiku”, kryeredaktor u caktua Shaban Hidri, emër shumë i bujshëm i inteligjencës dhe qytetarisë durrsake. As nuk më intereson se organ i kujt ishte ” Adriatiku”, se sa mjeshtëria e Shaban Hidrit, për të thithur si bashkpunëtorë gonxhet, apo filizat në rritje të ajkës së rinisë potente dhe krijuese durrsake.
“Adriatiku” vërtet trajtonte problemet që kishin natyrë politike, por jo pak për të thënë shumë, trajtoi art, letërsi, sport, dukuritë sociale e shoqërore nga ky grup i florinjtë krijuesish.
“Adriatiku” i Shaban Hidrit është historia e publiçistikës durrsake, i përfaqësuesve më të denjë të saj, të cilët më pas, u kthyen edhe në shtylla të publiçistikës.
Në gazetën “Adriatiku” të kohës së Shaban Hidrit, punuan në organikë shumë firma të njohura. Do të përmënd me sa mundem ato që kujtohen, duke besuar se skam për të harruar asnjë. Kanë qenë Haxhi Shima, Përparim Koçilja, Thoma Qendro, Kozeta Mamaqi Olldashi, Hasan Ulqini, Teuta Shahini Mulaj.
Daktilografiste apo në makinë shkrimi punonte Saide Hoxha. Ndërsa korektor letrar dhe ndiqte gazetën në shtypshkronjë Isidor Dhimitriadhi.
Dhe në këtë “Adriatik”, nga më të mirat botime nga rrethet e vendit, u kalit apo u temperua si gazetar dhe Moikom Zeqo. Me shumë autoritet dhe personalitet. Kishte krijuar stilin, natyrën origjinale në të shkruar, thellësinë e mendimit dhe fuqinë e argumentit. Moikomi dukej që ishte prerje e veçantë, mbase edhe i krijuar enkas nga Zoti.
Ne 19-20-të vjeçarët, bëhet fjalë për fillimet e viteve 70- të, e kuptonim që Moikom Zeqo do të bëhej dikushi (siç edhe në fakt ndodhi) në krijimtari dhe besonim se e ardhmja e tij do të ishte dominuese. Kjo na gëzonte, pasi e donim dhe e respektonim njëri tjetrin. Punonte shumë. Lexonte shumë. Filloi të botonte shumë. Inteligjenca, potenca e gazetarit dhe shkrimtarit Moikom Zeqo, po kthehej në shkollë për ne shokët dhe miqtë e tij.
Moikomi bënte edhe disidencë. Ishte fuqia krijuese që e bënte të guxonte. Lëvizje, krijim, sport, befasues dhe i guximshëm, duke qenë i pari në kërkimet dhe zbulimet ujore. Fiziku i tij ishte i fuqishëm. Moikomi nuk ecte, por vraponte. Aq i shpejtë ishte. Ngarkesat e mëdha e kishin detyruar të vepronte kështu.
Tek ” Adriatiku” u njoh me Lida Mirajn, vajzën e të mirnjohurit intelektual Fabian Miraj, me të cilën lidhi edhe jetën.
Dhe ne të tjerët jemi jo pak. E nis me Bardhyl Agasin. Moshatar me Moikomin. Mbaruan filologji dhe letërsi që të dy. Poetë dhe shkrimtarë. Kuadro dhe pasqyrë shoqërore e Durrësit. Moikom Zeqo dhe Bardhyl Agasi mbeti një dyshe shokësh të ngushtë, ku miqësinë me njëri tjetrin e ruajtën deri në fund.
Tek ” Adriatiku” u çfaqën shumë firma, që u bënë të njohura në atë kohë. Dhe shembulli i Moikom Zeqos ishte parësorë. Mbeti modeli ynë, përfaqësuesi ynë, me të cilin mburreshim dhe mburremi ende.
Memoria nuk do të më braktisë, për të përmëndur emra që u rritën me ” Adriatikun” e Shaban Hidrit. Janë të mirjohurit Thanas Mustaqi, Bashkim Hoxha, Petraq Risto, Namik Mane, Demir Gjergji, Ilia Dede, Mark Brunga, Maliq Istrefi, Vera Llakaj Vasia, Merita Thartori, Skënder Braka, Bashkim Çuçi e ndonjë tjetër.
Raporti im me ” Adriatikun” ishte organik. Vitin e katërt në Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike dega gazetari, e bëra tek “Adriatiku” ynë i përmallshëm tashmë. Punova në një zyrë me të famshmin gazetar Haxhi Shima. Ai më nxiti ti bëja shkrimet direkt në makinën e shkrimit dhe jo ti shkruaja më parë në letër. Punonim në makinat e famshme italiane të firmës ” Olivetti”.
Gazeta ” Adriatiku” mbetet kohë e artë e jona, ku kryeredaktorit të parë Shaban Hidrit duhet t’ia njohim meritat, për bashkpunëtorët cilësorë që thithi.
E kemi humbur Moikomin. Kemi humbur edhe Shaban Hidrin. Nuk është dhe Saideja. Por nuk harrohet puna e jashtëzakonshme që është kryer.
Dhe kjo kohë, është vetë historia e shtypit dhe e publiçistikës durrsake, ku Moikom Zeqo ishte dhe mbeti lokomotiva tërheqëse e saj.
Foto që e kërkoj interpretimin. Dhe me sa munda e dhashë.
Bujar Qesja
Durrës: 15 qershor 2025
Në foto nga e majta: Moikom Zeqo (nuk jeton), Shaban Hidri ( nuk jeton), Saide Hoxha ( nuk jeton), Kozeta Mamaqi, Thoma Qendro dhe Isidor Dhimitriadhi.
Viti 1972