2 gjoba nga 5000 lekë në dy ditë për zënien e hapësirave publike. Pronari i bar “Kolonat”, në lagjen nr.3 ka debatuar mesditën e sotme me efektivët e Policisë Bashkiake, të cilët i kërkonin heqjen e tavolinave dhe karrikeve.

Pronari Irfan Uzo pretendon se është gjobitur padrejtësisht për dy ditë me radhë, ndërkohë që akuzon funksionarët e bashkisë se kërkojnë lekë nën dorë.

Kam tre ditë që shkoj në bashki, mua nuk më del leja që të paguaj lekët. Më thonë që nuk është drejtori.”, thotë Uzo.

Uzo thekson se 3 muaj më parë ka qenë në bashki për të paguar tarifën për zënien e hapësirës publike, por e kanë përcjellë duke i thënë se do të dalin vetë në terren. Edhe pse taksapagues i rregullt prej 22 vitesh, Uzo deklaron se po ushtrohet presion ndaj tij për të larguar tavolinat e lokalit.

“Më vijnë para tre ditësh me dhunë, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, më ngritën të gjitha tavolinat dhe më thanë që të kemi lënë letrën te kamarieri. Unë atë letër nuk e kam firmosur. Kam shkuar në bashki, i kam dërguar të gjitha dokumentet edhe çfarë kërkonin ata.”

Prej rreth 2 javësh, Policia Bashkiake Durrës ka nisur një aksion në terren për lirimin e hapësirave publike në lagje të ndryshme të qytetit.

Në një njoftim në rrjete sociale, të datës 3 shtator, Policia Bashkiake u bëri apel subjekteve private që të pajiseshin me leje pranë Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Durrës për të përdorur hapësirat publike. Policia Bashkiake paralajmëroi masa administrative ndaj subjekteve dhe qytetarëve që shkelin ligjin.

M.B.