Gjykata e Durrësit ka lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” 44-vjeçarin Leonard Nikolli, pronar i autobusit ku u sekuestruan 121 mijë euro.

Shuma e madhe e parave u zbulua në fundjavë nga Policia Kufitare në portin e Durrësit, gjatë operacionit të koduar “Fluksi”.

Sipas policisë, 121 680 eurot nuk ishin deklaruar në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit.

Shuma e parave ishte fshehur në tavanin e autobusit, ndërsa gjatë operacionit policor u arrestua në flagrancë shtetasi Nikolli.

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.